PRIZREN | PËRKUJTOJMË 10 QERSHORIN E VITIT 1878; LIDHJEN E PRIZRENIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 1 hour ago
- 1 min read
Tiranë, Shqipëri | Në datën 10 qershor të vitit 1878, Prizreni u shndërrua në qendrën kryesore të organizimit të përpjekjeve shqiptare për ruajtjen e trojeve, bashkimin dhe identitetin kombëtar.
Në një kohë kur Fuqitë e Mëdha po rishikonin hartën e Ballkanit, një grup patriotësh shqiptarë si Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Abedin Pashë Dino, Ahmet Koronica, Daut Efendi Boriçi, Sali Jaha, Syl Oruç Doçi, Smajl Martini Ivezaj, Shaban Bej Bushatlli, Jonuz Efendiu, Selim Efendi Çoba, Sheh Mustafa Tetova, Pashko Vasa, Sami Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina, dhe shumë të tjerë morën nismën për themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Kjo organizatë mbarëkombëtare kishte karakter politik dhe ushtarak, me synimin për të bashkuar viset shqiptare në një njësi administrative autonome brenda Perandorisë Osmane, duke kundërshtuar ndarjen e tyre midis shteteve fqinje.
Përmes memorandumeve dhe peticioneve drejtuar Kongresit të Berlinit, si dhe përmes rezistencës së organizuar në terren, shqiptarët afirmuan identitetin e tyre kombëtar dhe politik.
Kjo periudhë përfaqëson një moment themelor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të rrugës drejt pavarësisë, duke theksuar idenë e bashkimit kombëtar mbi ndarjet krahinore.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)













Comments