POLICIA E SHTETIT SHPËTON 2 HOLLANDEZË | KISHIN HUMBUR RRUGËN NË “BJESHKËT E BEKUARA”.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jun 25, 2023
- 1 min read
Valbonë, Shqipëri | Kishin mbetur të bllokuar në një terren tejet të thepisur dhe me dëborë, në mes të malit të Jezercës dhe Bjeshkëve të Nemuna, por Policia i Shtetit u shkoi në ndihmë 2 turistëve holandezë. Kërkimet zgjatën disa orë, dhe ndihma iu ofrua përmes shoqërimit me këmbë nga shërbimet e Policisë së Shtetit, dhe më pas përmes transportimit me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes. “Rreth orës 12:15, dy turistë holandezë kanë kërkuar ndihmë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Tropojë, pasi duke eksploruar zonën e Valbonës, kishin mbetur të bllokuar mes malesh, për shkak të terrenit të thepisur dhe me dëborë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë kanë organizuar punën dhe kanë nisur kërkimet, me qëllim lokalizimin e turistëve. Pas disa orësh kërkime nga shërbimet e Policisë, turistët u lokalizuan në një zonë mes malit të Jezercës dhe Bjeshkëve të Nemuna. Ata u shoqëruan nga punonjësit e Policisë për disa orë me këmbë, në një terren shumë të rrezikshëm për jetën dhe pas mbërritjes në një terren ku mund të ulej helikopteri, u transportuan me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes, në vendin ku ishin akomoduar. Të dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë për humanizmin e treguar dhe për ofrimin e menjëhershëm të ndihmës. Drejtoria Vendore e Policisë Kukës fton qytetarët që për çdo rast të nevojës për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.” #angazhimpërkushtimsakrificë
#112 Copyright | Agjencia Telegrafike Vox









___.png)













































Comments