NË EMIRATIN ISLAMIK TË AFGANISTANIT U FESTUA PËRVJETORI I KATËRT I RIKTHIMIT TË TALEBANËVE NË PUSHTET | QEVERIA E TYRE ËSHTË E PËRJASHTUAR NGA BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE POR E NJOHUR VETËM NGA RUSIA.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 5 days ago
- 2 min read

Kabul, Emirati Islamik i Afganistanit | Talebanët festuan pardje (15.08.2025) përvjetorin e katërt të rikthimit të tyre në pushtet në Afganistan, të inkurajuar nga njohja e qeverisë së tyre nga Rusia dhe duke shpresuar se vendet e tjera do të ndjekin shembullin.
Parada u planifikuan në disa qytete, përfshirë qendrën e Kabulit, ndërsa flamujt bardh e zi të Emiratit Islamik të Afganistanit u ngritën për Ditën e Fitores, duke shënuar rimarrjen e kryeqytetit më 15 gusht të vitit 2021.
Afganë u mblodhën në një kryqëzim që të çonte në Ambasadën Amerikane, duke ndezur fishekzjarre dhe duke valëvitur flamuj të mëdhenj.
Megjithatë, parada ushtarake, e cila, u mbajt me bujë të madhe vitet e kaluara në bazën e Bagramit, ish-qendra nervore e operacioneve perëndimore kundër kryengritjes talebane gjatë luftës, nuk u zhvillua.
Festimet janë anuluar, deklaroi një zyrtar taleban në kushte anonimiteti, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Qeveria talebane mbetet kryesisht e përjashtuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila, e kritikon atë për masat e saj shtypëse, të miratuara në emër të një interpretimi ultra të rreptë të ligjit islamik dhe që synojnë veçanërisht gratë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste në fillim të korrikut për dy udhëheqës talebanë për persekutimin e grave afgane, të cilave, u ndalohet të hyjnë në universitete, palestra, sallone bukurie, parqe dhe shumë vende pune.
Por qeveria talebane, e cila, e ka bërë njohjen ndërkombëtare pikën e saj të fortë, sapo kishte siguruar një fitore me njohjen ruse.
Kabuli gjithashtu mban marrëdhënie të ngushta, megjithëse pa njohje zyrtare, me shtetet e Azisë Qendrore, Kinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndër të tjera.
Në frontin perëndimor, qeveria talebane thuhet se zhvilloi bisedime në Kabul me zyrtarë norvegjezë, britanikë dhe amerikanë, ndër të tjerë.
Raportuesit Specialë të OKB-së i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mos normalizojë marrëdhëniet me talebanët dhe të hedhë poshtë regjimin e tyre të dhunshëm dhe autoritar.
Këta ekspertë të pavarur, të emëruar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, zbuluan se talebanët e ushtronin pushtetin e tyre pa legjitimitet dhe demonstruan një shpërfillje të hapur për të drejtat e njeriut, barazinë dhe mosdiskriminimin.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments