MBRETI MOHAMMED VI I MAROKUT ANULOI SAKRIFIKIMIN (THERJEN) E BAGËTIVE GJATË KURBAN BAJRAMIT MË 6 QERSHOR 2025 PËR SHKAK SE PREJ 7 VITESH NË MAROK KA PLLAKOSUR THATËSIRA.


Rabat, Marok | Mbreti Mohammed VI i Marokut i ka bërë thirrje popullatës që të përmbahet nga sakrifikimi i bagëtive gjatë Kurban Bajramit, festës islame të flijimit të planifikuar për 6 qershor 2025.
Vendimi është motivuar nga thatësira e madhe që ka goditur vendin për të shtatën vit radhazi, duke shkaktuar ulje drastike të numrit të bagëtive dhe rritje të ndjeshme të çmimit të mishit.
Njoftimi është bërë në një mesazh të lexuar nga ministri i Vakëfeve dhe Çështjeve Islame, Ahmed Tufik (Toufiq), i transmetuar në televizion.
“Vendi ynë po përballet me sfida klimatike dhe ekonomike që kanë çuar në një rënie të konsiderueshme të numrit të bagëtive - tha sovrani - duke nënvizuar rëndësinë e festës, por duke ftuar marokenët të heqin dorë nga sakrifica tradicionale”.
Mbreti Mohammed VI theksoi se si mbajtja e festivalit në këto kushte do të rrezikonte përkeqësimin e vështirësive ekonomike të shumë familjeve, veçanërisht atyre me të ardhura të ulëta.
“Festimi i Kurban Bajramit nuk është një rast kalimtar, por ka një rëndësi të thellë fetare. Megjithatë, këtë vit riti i sakrificës do të kryhet nga unë në emër të popullit tim”, tha sovrani, duke nënvizuar rëndësinë e kohezionit social dhe respektimit të porosive fetare edhe në kohë krize.
Sipas të dhënave zyrtare, blegtoria në Marok është ulur me 38 për qind në vitin 2025 krahasuar me regjistrimin e fundit të vitit 2016.
Më 13 shkurt 2025, Ministri i Bujqësisë, Ahmed Bouari, prezantoi një raport ku nënvizoi se si reshjet kanë qenë 53 për qind më të ulëta se mesatarja e 30 viteve të fundit, duke përkeqësuar më tej krizën bujqësore dhe blegtorale në vend.
Maroku po përballet me një nga krizat më të këqija të ujit në historinë e tij të fundit, me pasoja të rëndësishme në sigurinë ushqimore dhe ekonominë rurale.
Mungesa e ujit ka ulur kapacitetin për të ushqyer bagëtinë dhe ka çuar në një rritje të çmimit të mishit, duke e bërë atë të papërballueshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, veçanërisht ata që fitojnë pagën minimale prej rreth 290 euro në muaj.
Iniciativa e mbretit Mohammed VI kujton një precedent historik: në vitin 1966, babai i tij, Mbreti Hassan II, kishte marrë një vendim të ngjashëm, duke ftuar marokenët të hiqnin dorë nga sakrifica e Kurban Bajramit për shkak të një thatësire të zgjatur që kishte goditur vendin.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit






Comments