MARRËVESHJA TURKO-RUMUNE PËR MBROJTJEN MUND TË KONSIDEROHET MODEL PËR EVROPËN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 16 hours ago
- 4 min read

Nga z. Stefn Bllenk (Stephen Blank)*.
Uashington, Amerikë | Otokar, një degë e grupit turk Koc me seli në Sakaria (Sakarya), njoftoi në muajin prill se kishte nënshkruar një marrëveshje prej gati 1 miliard dollarësh me Automecanica të Rumanisë për të ndërtuar më shumë se 1000 automjete të blinduara Cobra II 4×4 dhe për të ndërmarrë shërbime inxhinierike, marketingu dhe mbështetje pas shitjes.
Secila palë do të zotërojë 50% të sipërmarrjes së përbashkët dhe të dyja palët e shohin atë si një trampolinë për bashkëpunim të mëtejshëm.
Marrëveshja, e cila, mbështetet në një bashkëpunim më të madh në energji dhe mbrojtje midis dy kombeve që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, është një pikë referimi e rëndësishme për sektorët industrialë të mbrojtjes të Rumanisë dhe Turqisë, si dhe për pjesën tjetër të Evropës.
Marrëveshja u ofron një mundësi udhëheqësve turq të industrisë së mbrojtjes që të tregojnë se mund të konkurrojnë në mënyrë efektive në tregun shumë konkurrues evropian në një kohë kur sektori i mbrojtjes i kontinentit duhet të rritet me ritëm përballë agresionit rus dhe dyshimeve mbi praninë e vazhdueshme ushtarake amerikane.
Prodhuesit turq tashmë kanë një reputacion të fortë për cilësinë e lartë të sistemeve dhe pajisjeve të tyre të armëve dhe, pasi kanë pasur një vit rekord në vitin 2024, synojnë ta tejkalojnë atë duke u zgjeruar më tej në tregjet evropiane.
Përmes marrëveshjeve në shkallë të gjerë, industria synon të vendoset si një lojtar i madh afatgjatë në kontinent dhe në tregun ballkanik në veçanti.
Vendosja e një pranie të madhe afatgjatë në sektorin industrial të mbrojtjes evropiane do t'i sillte Ankarasë dividentë gjeopolitikë, si dhe ekonomikë.
Duke pasur parasysh tërheqjen e mundshme dhe të afërt të forcave dhe sistemeve të armëve amerikane në Evropë, integrimi i Turqisë në mbrojtjet evropiane, veçanërisht në dhe përreth Detit të Zi, është një çështje strategjike me pasoja të mëdha.
Integrimi më i ngushtë i Turqisë në Evropë përmes mbrojtjes mund të arrihet përmes mekanizmave të krijuar rishtazi nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë programin e kredisë SAFE prej 169 miliardë dollarësh të bllokut për të financuar investimet në mbrojtje dhe prodhimin e armëve.
Turqia është e shqetësuar se kompanitë e saj do të përjashtohen dhe po kërkon një marrëveshje për të siguruar një bashkëpunim më të thellë.
Një marrëdhënie më e ngushtë mund të paraqesë një mundësi të artë për anëtarët e BE-së për të pasur akses në disa nga produktet cilësore të industrisë mbrojtëse të Turqisë, duke përfshirë dronët TB2 që ishin vendimtarë në Nagorno-Karabakh, një gamë mbresëlënëse raketash dhe sistemesh kundër-dronësh, si dhe automjete luftarake tokësore pa pilot.
Në të vërtetë, siç vuri në dukje një vlerësim i Carnegie: “Kompanitë turke të mbrojtjes prodhojnë një mori pajisjesh standarde të NATO-s - nga artileria dhe predhat te automjetet luftarake të këmbësorisë, dronë të armatosur dhe anije detare”.
Marrëveshjet me industrinë turke të mbrojtjes, duke përdorur paketën e kredisë së BE-së ose instrumente të tjera financiare, do të ndihmojnë shumë në përfshirjen e Turqisë, anëtare e NATO-s që nga viti 1952, në programet dhe strategjinë e mbrojtjes të Evropës.
Shumica e vëzhguesve bien dakord se një veprim i tillë do të ishte strategjikisht jetik për Evropën dhe në këtë kontekst, ndërveprimi me Rumaninë dhe vendet e tjera të BE-së është një faktor kritik.
Marrëveshja dhe precedenti që ajo vendos, i ofrojnë gjithashtu Rumanisë një sërë përfitimesh.
Bashkëpunimi me Turqinë, një fuqi e madhe në Detin e Zi, do të përmirësojë ndërveprimin dhe do të ndihmojë në forcimin e aftësive të NATO-s në rajon, duke nxitur më tej pjesëmarrjen e Ankarasë në rast se shpërthejë një krizë rajonale.
Në të njëjtën kohë, marrëveshja rrit aftësitë e industrisë mbrojtëse të Rumanisë, duke siguruar mbështetje afatgjatë të mirëmbajtjes për Cobra II dhe duke nxitur zhvillimin teknologjik vendas.
Të gjitha këto janë thelbësore për rimëkëmbjen e sektorit industrial të mbrojtjes në Rumani.
Automjeti Cobra është një automjet i blinduar taktik i provuar, shumëfunksional, i përshtatshëm për nevojat e Rumanisë, e cila, përballet me kërcënime të mundshme nga pushtimi rus, veçanërisht nëse Moska fiton në Ukrainë, si dhe konflikte civile në Moldavi dhe brenda Rumanisë, ku Kremlini ka investuar shumë për të ndërhyrë në politikën e brendshme.
Marrëveshja Cobra përfaqëson gjithashtu një përparim të mundshëm në përpjekjen e Rumanisë për të përmirësuar industrinë e saj të mbrojtjes, e cila, ka vuajtur nga më shumë se 30 vjet mungesë investimesh, mungesë konkurrueshmërie, teknologji e vjetëruar dhe mungesë personeli të kualifikuar dhe lëndëve të para.
Ajo përballet me shumë sfida në sigurimin e mbrojtjes së vetë Rumanisë, e lëre më integrimin me rrjetet industriale të mbrojtjes evropiane, dhe Bukureshti ka ndërmarrë një plan gjithëpërfshirës për të tërhequr kapital dhe kompani të huaja në brigjet e saj.
Prandaj, marrëveshja nënkupton më shumë sesa thjesht një kontratë dypalëshe me një partner të njohur për të prodhuar një sistem armësh.
Nëse marrëveshja ka sukses, Rumania do të marrë më shumë sesa një armë shumë të përdorshme; Turqia do të stimulohet të investojë më tej në Rumani dhe vendet e tjera do të shohin se edhe ato mund ta bëjnë këtë.
Rumania do të mësojë gjithashtu nga teknikat e menaxhimit, shpërndarjes, prodhimit, mirëmbajtjes, shitjes dhe furnizimit të Otokar-it, të cilat, më pas mund t’i zbatojë në pjesë të tjera të sektorit të saj të brendshëm të mbrojtjes dhe t’i përdorë si nxitje për investime të mëtejshme.
Duke gjeneruar vrull dhe burime, kjo mund të krijojë një rreth të virtytshëm për të ndihmuar Rumaninë të kapërcejë mangësitë e sektorit të saj të mbrojtjes-industrisë dhe të përmirësojë integrimin e saj me rrjetet e BE-së.
Marrëveshja është gjithashtu një shans për të nxitur një përmirësim të madh të mbrojtjes evropiane në teatrin kritik të Ballkanit/Detit të Zi.
Në mjedisin aktual, dhe duke pasur parasysh faktorët që ndikojnë në sektorin industrial të mbrojtjes evropiane në tërësi, ajo duhet të jetë e para nga shumë marrëveshje pozitive në të gjithë kontinentin.
*Dr. Stefn Xhei Bllenk (Stephen J. Blank) ka botuar mbi 900 artikuj dhe monografi mbi politikat ushtarake dhe të jashtme sovjetike/ruse, amerikane, aziatike dhe evropiane.
Ai ka dëshmuar shpesh para Kongresit mbi Rusinë, Kinën dhe Azinë Qendrore, ka qenë konsulent për Agjencinë Qendrore të Inteligjencës dhe për grupe ekspertësh dhe fondacione të mëdha.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments