LAGJJA NR. 4; SARANDË | MARIGLEN BAJRAMI U SHPALL NË KËRKIM POLICOR; KANOSJE ME THIKË NDAJ PJESËTARËVE TË FAMILJES SË MAJLINDA QURKUT.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jul 27
- 3 min read

Lagjja nr. 4, Sarandë, Shqipëri | Strukturat vendore të Policisë së Shtetit shpallën në kërkim policor:
1- Z. Mariglen Bajrami, me moshë 21 vjeç.
Ai konsiderohet i përfshirë në kanosje me armë të ftohtë (thikë) ndaj familjarëve të znj. Matilda Qurku, ish-kandidate për deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Shënimi i znj. Matilda Qurku në rrjetet sociale virtuale | Një nga netët më të vështira të jetës sime si nënë.
Një person i dhunshëm, pa asnjë arsye, u shfaq me thikë në dorë para lokalit tim.
U afrua makinës ku ishin fëmijët e mi (2 dhe 10 vjeç), dy nipërit dhe bashkëshorti.
Kur nipi pa armën, i thotë:
“Jepi gaz se ka armë!”
Elidoni largohet për të shpëtuar fëmijët, por më telefonon menjëherë:
“Dil ndihmo Donin, po i afrohen me armë!”
Babai im ishte shumë pranë agresorit.
Dal pa menduar dy herë dhe i dal përballë.
Reaguan edhe qytetarë të rastësishëm që i falënderoj me gjithë zemër.
Agresori largohet… por jo për t’u ndalur.
Ai ndjek makinën dhe e godet pesë herë me radhë, me shpejtësi dhe qëllim të qartë për të bërë keq.
Zëri i nipit tim në telefon që bërtiste:
“Na ndihmo, po na vret!” është diçka që s’do ta harroj kurrë.
Mbrëmë më keni parë të vrapoja si “e çmendur” rrugëve të lagjes në kërkim të familjes sime që dikush po përpiqej t’ma vriste - pa bërë asnjë faj.
E vetmja lidhje me këtë njeri është se prindërit e tij, ish-punonjës në biznesin tim, janë larguar me dëshirën e tyre dhe në paqe totale duke marrë pagesën e kërkuar.
Nuk kërkoj asgjë më shumë se çfarë na takon si qytetarë:
SIGURI dhe DREJTËSI.
👉Veprim të menjëhershëm nga Policia e Shtetit për të kapur autorin.
👉Mbrojtje për familjen time.
👉Zbatim të ligjit për të gjithë.
Po ndaj disa prej videove të kësaj ngjarjeje - jo për të bërë zhurmë, por për të treguar të vërtetën.
P.S: Kush nga ju miq e sheh këtë fytyrë të njoftoj sa më shpejt Policinë e Shtetit.
Njoftim | Kanosi me thikë një shtetas dhe e ndoqi me makinë, duke i dëmtuar edhe automjetin, shpallet në kërkim 21-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim, për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin M. B., 21 vjeç, banues në lagjen nr. 3, Sarandë.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 21-vjeçari ka kanosur me një mjet prerës (thikë) shtetasin E. B., 41 vjeç, dhe më pas e ka ndjekur me automjetin e tij, duke i dëmtuar automjetin që ky i fundit po drejtonte, në lagjen nr. 3, Sarandë.
Pamje të kësaj ngjarjeje janë bërë publike edhe në rrjetet sociale.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Ndërkohë, është bërë e mundur sekuestrimi i automjetit të përdorur nga shtetasi M. B.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
コメント