KOLUMBI: RINISI RACIONIMI I UJIT NË BOGOTA | NJOFTIMI U BË NGA KRYETARI I BASHKISË KARLOS (CARLOS) FERNANDO GALÁN.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Sep 21, 2024
- 1 min read
Bogota, Kolumbi | “Nga 29 shtatori, ndërrimet e racionimit do të rifillojnë me synimin për të garantuar furnizimin me ujë në Bogota”, njoftoi pasdite kryetari i bashkisë së Bogotës, Karlos (Carlos) Fernando Galán, në llogarinë e tij vetjake në rrjetin social virtual Iks (X).
“2024 ishte një nga vitet më të thata të regjistruara dhe rezervat ujore të qytetit arritën 45.4% të kapacitetit në fund të gushtit”, shpjegoi kryebashkiaku i kryeqytetit kolumbian, i cili, ka një popullsi prej tetë milionë banorësh.
“Duhet t'i kthehemi reduktimit të konsumit të ujit”, deklaroi z. Galán dhe për këtë arsye ai njoftoi fillimin e racionimit për 24 orë me rotacion në secilin nga nëntë sektorët në të cilët është ndarë Bogota, siç ka ndodhur tashmë midis muajve prill dhe korrik.
Me racionimin nga e diela e fundit e shtatorit rikthehet edhe ndalimi i përdorimit të ujit të pijshëm për larjen e automjeteve dhe gjobat apo pezullimi i aktiviteteve për ata që shkelin rregullat për ruajtjen dhe racionimin e ujit.
Më tej, shtigjet përreth kryeqytetit do të mbyllen për të shmangur zjarret në një periudhë si kjo aktualja, me thatësirë të madhe.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)



















































Comments