GJYKATA SPECIALE NË HAGË NGRITI AKTAKUZË TË RE PENALE KUNDËR ISH-PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS HASHIM THAÇI.


Hagë, Vendet e Ulëta | Gjykata Speciale në Hagë ka ngritur aktakuzë të re penale kundër ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Por jo vetëm, akuza penale u ngritën edhe kundër katër vetave të tjerë, për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme, për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve, në gjykimin e krimeve të luftës të z. Thaçi dhe të të tjerëve.
Në një njoftim për media, Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë, aktakuza u konfirmua kundër z. Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe z. Fadil Fazliu.
“Zotërinjtë Smakaj, Fazliu dhe Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u dërguan në ndërtesën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, më 6 dhjetor 2024”, tha gjykata.
Gjykata shtoi se z. Hajredin Kuçi iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar, për paraqitjen e parë.
Z. Thaçi - i cili është duke u gjykuar nga kjo gjykatë në një rast të ndarë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit - akuzohet se bashkërendoi tri grupe të veçanta së bashku me zotërinjtë Smakaj, Kilaj, Kuçi dhe Fazliu për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.
“Së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha z. Smakaj, z. Kilaj, z. Fazliu dhe z. Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”, thuhet në aktakuzë.
Aktakuza e re ndaj ish-kryeministrit dhe presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe arrestimit të zotërinjve Smakaj, Kilaj e Fazliu dhe fletëthirrjes për z. Kuci, vijnë një ditë pasi ZPS-ja njoftoi të enjten se po kryente operacione të vazhdueshme në Kosovë në lidhje me hetimet që është duke i kryer për vepra penale kundër pengimit të drejtësisë.
“Zotërinjtë Smakaj, Kilaj dhe Fazliu janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të paraqiten edhe ata para gjykatës pa vonesa të papërligjura”, tha ZPS-ja të premten.
Ajo shtoi se z. Kuçi i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara, pasi ato kanë ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Holandë, deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.
Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, z. Hysni Gucati dhe z. Nasim Haradinaj janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.
Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte. Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.
Në Dhomat e Specializuara gjithashtu është duke u zhvilluar rasti gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së, z. Hashim Thaçi, z. Kadri Veseli, z. Jakup Krasniqi dhe z. Rexhep Selimi - të cilët, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit






Comments