GJKKO SHQIPTOI MASË SIGURIMI ARREST NË BURG PËR ISH-PRESIDENTIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË ILIR METAJ (META).
- Oct 23, 2024
- 4 min read
Tiranë, Shqipëri | Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) Erjon Çela, pasi dëgjoi për afro 4 orë palët ndërgjyqëse vendosi që të mos ndryshojë masën e sigurimit vetjak për 3 prej tyre.
Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë do të qëndrojë në burg, ndërkohë që bashkëpunëtoret e tij, znj. Monika Kryemadhi dhe znj. Ema Çoku por edhe z. Pirro Xhixho do të hetohen me masë sigurimi “detyrim paraqitje”.
Seanca ndaj z. Meta dhe 3 të tjerëve ishte planifikuar në mëngjes, por u shty, sepse ish-presidenti kërcënoi prokurorët.
Përballë tij ishin prokurorët e posaçëm Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi.
Ish-presidenti Metaj (Meta) iu drejtua me tone të ashpra dhe me fjalë të rënda ofenduese kreut të SPAK-ut, z. Altin Dumani, duke e cilësuar si “Dum duman”, “Qen” dhe madje ka kapur veshin duke i thënë: “Këtu ta kam, mbaje mend çfarë kam për të të punuar”.
Z. Metaj (Meta) u arrestua për 3 akuza, atë të pastrimit të parave, fshehjes së pasurisë dhe korrupsionit.
SPAK ka siguruar prova se ai ka abuzuar me rastin e dosjes CEZ-DIA.
Po ashtu ka pasur abuzime financiare me shtrimin e fibrave optike.
Janë zbuluar fshehje të pasurisë dhe po ashtu në aktet proceduriale penale tregohen shpenzime luksi nga ana e tyre, për atë cilat, nuk justifikohen burimet.
Njoftimi i Gjykatës | 1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 22.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrja në pyetje dhe verifikimi i kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, e caktuar me vendimin nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personave nën hetim Ilir Metaj, Monika Kryemadhi, Piro Xhixho dhe Ema Çoku”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 237 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 130, datë 23.10.2024, vendosi:
1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Ilir Metaj, e caktuar me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuara nga nenet 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 të K.Penal.
2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Monika Kryemadhi, e caktuar me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 (dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuara nga nenet 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 të K.Penal.
Personi nën hetim Monika Kryemadhi detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 12.00.
4. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, e caktuar ndaj personit nën hetim Piro Xhixho me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me masën e sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.
5. Personi nën hetim Piro Xhixho detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 13:30.
6. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Ema Çoku, e caktuar me vendimin nr. 125, dt. 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim e parashikuar nga neni 287/2 i K.Penal.
7. Personi nën hetim Ema Çoku detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 13:00.
8. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe shërbimet e policisë gjyqësore, për ekzekutimin e këtij vendimi.
9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brënda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita njoftimit të vendimit të gjykatë.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)

































Comments