DREJTORI I PËRGJITHSHËM I POLICISË SË SHTETIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË ILIR PRODA VIZITË NË STAMBOLL | TAKIM ME DREJTORIN E PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jul 23
- 2 min read

Stamboll, Turqi | Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Policisë shqiptare dhe Policisë turke, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit takoi në Stamboll, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë turke.
Vizitë edhe në Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF 2025).
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, dhe Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Drejtues i Lartë Pëllumb Seferi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Policinë turke në Stamboll.
Delegacioni shqiptar u prit në një takim miqësor dhe të ngrohtë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke, Guvernatori Mahmut Demirtash (Demirtaş), i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Drejtues i Lartë Gokhan (Gökhan) Demirtola, dhe Drejtori i Departamentit për Interpolin dhe Europolin, Drejtues i Lartë Mustafa Serkan Sabanca.
Guvernatori Demirtash (Demirtaş) e përgëzoi Drejtorin e Policisë shqiptare, Ilir Proda, për frymën e re të bashkëpunimit dhe vendosmërinë për të forcuar më tej marrëdhëniet me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.
Ai shprehu gatishmërinë që Policia turke të vazhdojë të jetë një mbështetje e fuqishme për Policinë e Shtetit.
Drejtori Proda e falënderoi homologun turk, për pritjen dhe për mbështetjen, dhe e njohu atë me vizionin e tij për një transformim të mëtejshëm të Policisë së Shtetit, me një shërbim gjithnjë e më cilësor për qytetarët dhe një forcë policore më profesionale dhe të besueshme në përballjen me krimin e organizuar dhe terrorizmin.
Në këtë takim u theksua se marrëdhëniet ndërmjet dy policive janë ndërtuar mbi një partneritet strategjik dhe një histori të gjatë bashkëpunimi, i cili është intensifikuar në vazhdimësi për të përballuar sfidat e përbashkëta të sigurisë.
Gjatë bisedës, drejtuesit vlerësuan se bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë turke është i gjithanshëm dhe nuk njeh barriera.
Ai shtrihet në fusha kyçe si:
1- Lufta kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve.
2- Bashkëpunimi në fushën e antiterrorizmit dhe të sigurisë publike.
3- Kapja, arrestimi dhe ekstradimi i shtetasve në kërkim ndërkombëtar; mbështetja logjistike dhe teknologjike pas sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shqiptare.
4- Arsimi dhe trajnimi i përbashkët i punonjësve të Policisë.
5- Menaxhimi i kufijve dhe i migracionit.
Në përfundim të vizitës zyrtare në Stamboll, delegacioni shqiptar, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Turke, vizitoi Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF 2025), ku u njoh nga afër me teknologjitë më të fundit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments