BORDI I PAQES PARAQITI PLANIN PËR GAZËN KU PARASHIKOHET INVESTIM 2.4 MILIARDË $.

Uashington, Amerikë | “Këshilli i Paqes i presidentit Danlld Tramp (Donald Trump) do të paraqesë një plan fillestar gjashtëmujor prej 2.45 miliardë dollarësh ($) për rindërtimin e Gazës në një takim të shteteve anëtare sot”.
Kështu shkroi gazetari Barak Ravid në entin mediatik “Axios” (i përfolur si i lidhur me Inteligjencën amerikane).
Propozimi, i cili përfshin 66 projekte, është një nga udhërrëfyesit më gjithëpërfshirës të zhvilluar deri më tani për rindërtimin e Gazës së pasluftës.
Dokumenti përfshin shpenzimet e parashikuara për strehim të përkohshëm, largimin e mbeturinave, rehabilitimin e spitaleve, rimëkëmbjen ekonomike dhe vendosjen e një force sigurie shumëkombëshe.
Plani është rezultat i një viti pune nga dhjetëra njerëz, si brenda Këshillit të Paqes me 28 anëtarë ashtu edhe qeverisë teknokratike palestineze.
Këshilli i Paqes shpreson që, pas zgjedhjeve izraelite të 27 tetorit dhe formimit të një qeverie të re izraelite, procesi i rindërtimit në Gazë më në fund mund të fillojë.
Plani tregon se si të krijohet një qeveri nga e para, një ekonomi e rrënuar dhe një territor i rigjallëruar nga katastrofa.
Që plani të ecë përpara, Këshilli i Paqes kërkon bashkëpunim midis Izraelit dhe Hamasit.
Qeveria e kryeministrit Benjamin Netanjahu ka dhënë miratimin e saj në parim për disa aspekte të diskutuara më parë të planit, por ajo ka refuzuar të fillojë zbatimin e tij, kryesisht për arsye politike të brendshme në prag të zgjedhjeve.
Hamasi ka rënë dakord në parim të çarmatoset, por, ky opsion nuk është testuar ende, pjesërisht sepse Izraeli nuk ka ndërmend të zbatojë një armëpushim 14-ditor para se të fillojë procesi i demilitarizimit.
Plani vlerëson dëmet materiale në Gazë në 35.2 miliardë dollarë ($) dhe parashikon që rimëkëmbja dhe rindërtimi i plotë do të kërkojë afërsisht 71.4 miliardë dollarë ($) gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit






Comments