AUTORITETET BELEGE PO HETOJNË NËSE PËRPJEKJA PËR VRASJEN E AGUSTIN KAZËS KA LIDHJE ME KONFLIKTET QË LINDËN PAS VRASJES SË KOMISARIT NDUE KAZA.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Apr 29, 2024
- 3 min read
Belgjikë | Z. Agustin Kaza, me moshë 44 vjeç, me origjinë nga Mirdita u tentua të vritej me armë zjarri në Belgjikë.
Ai gjendet në spital në gjendje kritike për jetën.
Ai u plagos rëndë të dielën në mbrëmje gjatë të shtënave në komunën Schaerbeek të Brukselit, konfirmon policia e veriut të Brukselit (Schaerbeek/Evere/Sint-Jost-ten-Noode), sipas RTL Info.
Prognoza e tij jetike është në rrezik, konfirmon policia.
“Zona e policisë Bruksel-Veri u thirr të dielën në mbrëmje, rreth orës 22:30, për të shtëna të shtëna në tarracën e një kafeneje të vendosur në rrugën Joseph Brand”, tha zëdhënësi Audrey Dereymaeker.
“Kur shërbimet e urgjencës mbërritën në vendngjarje, gjetën një burrë që vuante nga një plagë me armë zjarri. Ai ishte në rrezik. Policia ka njoftuar prokurorinë publike, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me gjyqtarin hetues. Hetimet janë duke vazhduar dhe policia nuk do të komentojë më.”
Sipas RTL Info, një burrë i veshur me kapuç iu afrua kafenesë dhe e qëlloi viktimën katër herë, duke përfshirë dy në kokë.
Në mesditë të kësaj të hëne, Prokuroria Publike e Brukselit ka dhënë detaje.
“Viktima është një burrë 44-vjeç, i trajtuar në gjendje kritike për jetën. Prokuroria Publike e Brukselit ia ka referuar një gjyqtari hetues akuzën për atentat në tentativë. Në vendngjarje ka shkuar gjyqtari i shoqëruar nga zëvendësprokurorja e Mbretit dhe laboratori i policisë gjyqësore federale të Brukselit”, bën me dije Prokuroria.
“Sipas elementeve të para të hetimit, viktima është goditur me disa plumba, në kokë dhe në kafaz të kraharorit. Jeta e tij aktualisht konsiderohet të jetë në rrezik”, shton Prokuroria, e cila, saktëson se hetimi i është besuar seksionit të vrasjeve të policisë gjyqësore federale në Bruksel.
Autoritetet belge të hetimit penal po hetojnë nëse tentativa e vrasjes së z. Aguztin kaza ndodhi për gjakmarrje.
Z. Agustin Kaza është vëllai i z. Martin Kaza, i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve në 3 korrik të vitit 1997, në Mirditë, konkretisht, të z. Dod Gjini dhe Agustin Gjini.
Për vrasjen e tyre z. Martin Kaza është dënuar me 22 vjet heqje lirie.
Akti i vrasjes së tyre dyshohet se u ndërmor për gjakmarrje, pasi viktimat dyshoheshin se i kishin vrarë vëllanë, z. Ndue Kaza, i cili, ushtronte detyrën e shefit të krimeve.
Z. Martin Kaza u ekstradua nga Britania e Madhe në Shqipëri në muajin dhjetor të vitit 2017.
Më datë 7 janar të vitit 1994 qyteti i Rrëshenit u trondit nga vrasja e shefit të krimeve, Ndue Kaza.
Ai u qëllua me armë zjarri në mes të qytetit nga z. Dod Gjini, i cili u largua nga vendngjarja.
Shtypi i shkruar i kohës raportonte se vrasja ndodhi pasi z. Ndue Kaza ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e një konflikti mes dy grupeve rivale.
Por 3 vite më vonë, pa arritur që autorët të arrestohen dhe familjet të pajtohen, në qytetin e Laçit vëllai i z. Ndue Kaza mori hak, duke vrarë 2 vëllezërit Dod Gjini dhe Agustin Gjini.
Atëbotë u kumtua se akti kriminal ndodhi mesditën e 3 korrikut të vitit 1997.
Dyshohet se në aktin e vrasjes kishin marrë pjesë dy veta.
Pas 4 vitesh hetimesh dhe kryerjesh veprimesh proceduriale penale Gjykata e Kurbinit e shpalli fajtor në mungesë z. Martin Kaza, duke e dënuar me 22 vjet heqje lirie.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit