ANTARKTIDA: VARGU I FSHEHUR MALOR POSHTË SAJ ËSHTË MË I VJETËR SE DINOSAURËT | SI U FORMUA VARGMALI ME PËRMASAT E ALPEVE NËN AKULL?
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 21
- 2 min read

Uashington, Amerikë | Formacioni malor është varrosur nën shtresën e akullit të Antarktidës Lindore.
Edhe pse nuk është vëzhguar kurrë, kohët e fundit ka tërhequr interes shkencor për shkak të të dhënave të reja që sugjerojnë se është formuar më shumë se 500 milionë vjet më parë.
Studimi, i udhëhequr nga Dr. Zhaklin (Jacqueline) Halpin e Universitetit të Tasmanisë dhe Dr. Nathan R. Daczko i Universitetit Macquarie, nxjerr në pah se si lëvizjet tektonike formësuan peizazhin nënakullnajor.
Malet e fshehura nën Antarktidë: Malet Gamburtsev nënakullnajore u zbuluan për herë të parë në vitin 1958 nga një ekspeditë sovjetike duke përdorur matje sizmike.
Ajo që ata zbuluan e habiti botën shkencore - një zonë aq e madhe dhe e thyer sa Alpet Evropiane, plotësisht e fshehur nën shtresën e akullit të Antarktidës Lindore.
Ndryshe nga vargmalet e tjera të famshme malore si Himalajet ose Malet Shkëmbore, askush nuk i ka parë ndonjëherë këto maja.
Ato mbeten të varrosura nën më shumë se 2.5 kilometra akulli, të mbrojtura nga erozioni dhe të paprekura për më shumë se gjysmë miliardi vjet.
Ekspertët mbështeten në studimet me radar dhe metodat sizmike për të hartëzuar shkëmbinjtë e Antarktidës, duke prodhuar pamje të detajuara të luginave të ashpra dhe majave gjigante të fshehura nën shtresat e dëborës.
Mjete të tilla zbulojnë gjithashtu zona uji dhe sedimentesh që shtrihen midis akullit dhe substratit shkëmbor, duke ndikuar në lëvizjen e akullit.
Të dhënat nga këto studime nxjerrin në pah kompleksitetin e gjeologjisë së Antarktidës Lindore, duke sfiduar supozimet e mëparshme se brendësia e saj ishte pa tipare dalluese.
Nën mijëra metra akull, vargmale të tëra qëndrojnë si dëshmitarë të heshtur të klimës në ndryshim të Tokës.
Ky rajon i fshehur ka të ngjarë të ketë lindur kur kontinentet u bashkuan, duke krijuar superkontinentin e njohur si Gondvana.
Provat nga mostrat e shkëmbinjve sugjerojnë presione të mëdha gjatë këtij grumbullimi kontinental.
Modelet gjeologjike të kores së Antarktidës tregojnë zona të lashta presioni që dikur u ngritën në lartësi të mëdha.
Pavarësisht kalimit të kohës, këto struktura mbetën të paprekura për shkak të bërthamës së qëndrueshme të kontinentit.
Formimi i Maleve Antarktike: Për të kuptuar se kur u formuan malet, studiuesit iu drejtuan zirkonit, një mineral që vepron si një kohëmatës gjeologjik.
Këto kristale të vogla mund të mbijetojnë për miliarda vjet dhe përmbajnë uranium, i cili, zbërthehet ngadalë në plumb me një shpejtësi të parashikueshme.
Duke studiuar kokrrat e zirkonit në gurët ranorë të lashtë të gjetur qindra milje larg zonës së varrosur, shkencëtarët gjurmuan ngritjen dhe shembjen e maleve.
Këto kokrriza regjistruan kulmin e ndërtimit të maleve rreth 580 milionë vjet më parë dhe fillimin e shembjes strukturore 500 milionë vjet më parë.
Zbulimi i sekreteve të majave nën akullin e Antarktidës mund të përmirësojë kuptimin tonë se si kontinentet riformohen gjatë shekujve.
Të dhënat e mbledhura nga këto karakteristika të fshehura mund të hedhin dritë edhe mbi burimet e mundshme dhe jetën e panjohur në liqenet nënakullnajore.
Studimi është botuar në revistën “Earth and Planetary Science Letters”.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)

















































Comments