ANGOLA NJOFTON DALJEN E SAJ NGA OPEC-u | NUK PRANOI KËRKESËN E OPEC-ut PËR REDUKTIMIN E PRODHIMIT TË NAFTËS.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Dec 22, 2023
- 2 min read
Luandë, Angolë | Angola ka vendosur të largohet nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC).
Kështu u bë e ditur sot nga Ministri i Burimeve Minerale, Naftës dhe Gazit, Diamantino de Azevedo, në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, të kryesuar nga Presidenti i Republikës, Joao Lurenko (Lourenco).
Lajmi është bërë i ditur nga agjencia angoleze e lajmeve “Angop”.
Njoftimi vjen pas një mosmarrëveshjeje mbi kuotat e prodhimit të naftës, që u ngrit pasi qeveria e Angolës hodhi poshtë një vendim të kartelit të hënën, për të vendosur një kufi prodhimi në Angolë, që do të pasqyronte tkurrjen e kapacitetit të prodhimit të vendit.
“Ky nuk ishte një vendim i marrë lehtë, por, ka ardhur koha”, tha ministri Azevedo.
“Roli ynë në organizatë nuk u konsiderua i rëndësishëm”, shtoi ai. Përplasja midis qeverisë së Luandës dhe udhëheqjes së OPEC-ut filloi në verë, kur karteli i kërkoi Angolës të pranonte një objektiv të reduktuar të prodhimit për vitin 2024, që reflektonte kapacitetet e tij në rënie. Prodhimi i vendit ka rënë me rreth 40% gjatë tetë viteve të fundit, në rreth 1.14 milionë fuçi në ditë, për shkak të dështimit për të investuar mjaftueshëm në fushat e vjetra të naftës në ujërat e thella. Në takimin e tij të fundit, muajin e kaluar, OPEC kishte vendosur kështu një kuotë më të ulët prej 1.1 milion fuçish në ditë, nën prodhimin aktual të vendit.
“Si vend, kur marrim pjesë, duhet të kontribuojmë, duke pritur rezultate në përputhje me interesat tona”, tha ministri Azevedo.
“Kur kjo nuk ndodh, ne bëhemi të tepërt dhe nuk ka më kuptim të qëndrojmë në organizatë”, shtoi ministri.
Vitet e fundit, Katari, Indonezia dhe Ekuadori gjithashtu janë larguar nga OPEC, për arsye të ndryshme.
Dalja e Angolës zvogëlon numrin e vendeve anëtare të organizatës në 12.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)



















































Comments