Bern, Konfederata e Zvicrës | “Kapsula ose sarkofagu i vetëvrasjes” është bërë objekt i shumë publikimeve ditët e fundit, të cilat, janë konsideruar thuajse... reklamuese.
“Autoritetet zvicerane bënë disa arrestime të hënën pas përdorimit të një dhome vetëvrasjeje të asistuar, një lloj sarkofagu që lejon dikë të marrë jetën pa ndihmën e mjekut”, tha sot policia kantoniale.
“Zyra e prokurorit publik të kantonit të Schaffhausen hapi një procedurë penale kundër disa personave për nxitje dhe ndihmë për vetëvrasje dhe shumë prej tyre u vendosën në paraburgim”, tha policia kantonale në një deklaratë.
“Prokuroria publike e këtij kantoni të vogël që ndodhet në veri të Zvicrës, afër Gjermanisë, u informua dje nga një studio ligjore se një vetëvrasje e asistuar me ndihmën e një dhome Sarko (Sarco) ka ndodhur në një kasolle pyjore në Merischhausen pasdite”, sipas policia.
Sipas mediave zvicerane, kjo është hera e parë që përdoret kjo dhomë vetëvrasëse e quajtur Sarko, e emërtuar sipas fjalës sarkofag.
“Dhoma e vetëvrasjeve Sarko u sekuestrua dhe (trupi i) personit që vdiq u dërgua (...) për autopsi”, shtoi policia.
Kujtohet se kohët e fundit një sërë publikimesh i referoheshin personave nga jashtë që synonin të shkonin në Zvicër për të “vrarë veten” në këtë “kapsulë” të veçantë.
Kjo dhomë merr formën e një kabine të vogël, në të cilën, personi që dëshiron t'i japë fund jetës së tij duhet të shtrihet dhe më pas t'i përgjigjet një sërë pyetjesh për të konfirmuar se është i vetëdijshëm për atë që po bën përpara se ai vetë të shtyp një buton për të çliruar nitrogjen.
“Ai pritet të humbasë ndjenjat dhe të vdesë brenda pak minutash”, sipas shoqatës që promovon këtë dhomë.
Në muajin korrik, kompania e promovimit e prezantoi Sarkon duke thënë se donte të vazhdonte me një përdorim të parë në Zvicër, gjë që shkaktoi një bujë, pasi vendi lejon vetëvrasjen e asistuar, por vetëm me një mjek.
Megjithatë, kompania e promovimit njoftoi në fund të muajit korrik se personi që do të ishte i pari që do ta përdorte atë, një grua amerikane rreth të pesëdhjetave, ishte skualifikuar për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj mendore.
Ministrja e Brendshme zvicerane Elisabeth Baum-Sneider tha dje gjatë një seance pyetjesh parlamentare se dhoma e vetëvrasjeve Sarko është kundër ligjit.
Para së gjithash, ajo nuk plotëson kërkesat në lidhje me të drejtën për sigurinë e produktit.
“Përveç kësaj, përdorimi i azotit brenda kësaj kapsule nuk është në përputhje me Aktin e Produkteve Kimike”, shpjegoi ministrja.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments