Kopenhagen, Mbretëria e Danimarkës | Kryeministrja daneze Mette Frederiksen u sulmua në rrugët e Kopenhagës të premten, sipas mediave vendore.
Policia e Kopenhagës njoftoi në rrjetin social virtual Iks (X) se kishte bërë një arrestim në lidhje me incidentin me kryeministren, i cili ndodhi në sheshin Kultorvet të Kopenhagës.
Policia nuk dha komente të tjera.
Reagimet nga zyrtarë të tjerë të BE-së që mbështesin kryeministren Frederiksen u përhapën në Iks (X) pas sulmit.
Kryeministri nordik i Finlandës, Pettri Orpo, tha se ishte shumë i tronditur nga sulmi ndaj koleges dhe mikes së tij Mette Frederiksen në Kopenhagë.
“Unë dënoj fuqishëm çdo formë dhune kundër udhëheqësve të zgjedhur në mënyrë demokratike në shoqëritë tona të lira.
Mendimet e mia janë me ju dhe ju uroj forcë në këtë kohë të vështirë”, tha ai.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson u bëri jehonë këtyre ndjenjave, duke thënë se një sulm ndaj një lideri të zgjedhur në mënyrë demokratike është gjithashtu një sulm ndaj demokracisë sonë.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se: “Mette Frederiksen është një drejtuese e përkushtuar, një person i mrekullueshëm dhe një mike e madhe.
Sulmi që ajo ka pësuar sonte është një sulm kundër të gjithë neve që besojmë në një Europë të lirisë, tolerancës dhe paqes.
Sapo i kam përcjellë të gjithë mbështetjen time dhe të qytetarëve spanjollë në këto kohë të vështira.
Dhuna nuk ka vend në Bashkimin Europian.”
Ky është sulmi i dytë ndaj një kreu të qeverisë europiane brenda muajit të kaluar.
Më 15 maj 2024, një sulmues qëlloi kryeministrin sllovak Robert Fiko (Fico) për disa politika qeveritare, duke përfshirë shkurtimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.
Ai i mbijetoi sulmit me armë zjarri dhe u lirua nga spitali javën e kaluar.
Danimarka do të votojë në zgjedhjet në vazhdim të Bashkimit Europian brenda dy ditësh.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit