
Uashington, Amerikë | Zbulohet qarku i trurit që lëshon kreativitetin: mbahet nën kontroll nga rajoni ballor i hemisferës së djathtë dhe aktiviteti i tij mund të rritet ose zvogëlohet nga efekti i lezioneve të trurit dhe sëmundjeve neurodegjenerative.
Këtë e demonstron një studim i kryer mbi 800 persona, i publikuar në revistën Jama Network Open nga një grup kërkimor ndërkombëtar i udhëhequr nga Mass General Brigham, në Shtetet e Bashkuara.
“Ne donim të kuptonim se cilat rajone të trurit janë kritike për krijimtarinë njerëzore dhe se si kjo lidhet me efektet e dëmtimit të trurit”, thotë neurologu Isaiah Kletenik.
Për t'iu përgjigjur këtyre pyetjeve, studiuesit ekzaminuan aktivitetin e trurit të 857 njerëzve, të cilët, iu nënshtruan imazhit të rezonancës magnetike funksionale të trurit, ndërsa kryenin detyra krijuese si vizatimi ose bërja e muzikës.
Të dhënat e mbledhura theksuan disa rajone të trurit që ndizen gjatë ekzekutimit të detyrave krijuese dhe që janë pjesë e një qarku të përbashkët të trurit.
“Disa njerëz me sëmundje neurologjike përjetojnë sjellje të reja krijuese dhe tregojnë modele specifike dëmtimi në përputhje me qarkun tonë të krijimtarisë”, shpjegon autori kryesor i studimit Julian Kutsche.
“Zbulimi më interesant - tha ai - është se disa rajone të trurit të aktivizuara nga aktivitetet krijuese janë të gjitha të lidhura negativisht me polin frontal të djathtë, një rajon i trurit i rëndësishëm për kontrollin dhe sjelljet e bazuara në rregulla”.
“Për të qenë kreativ, ndoshta duhet të fikni kritikun tuaj të brendshëm në mënyrë që të gjeni drejtime të reja dhe madje të bëni gabime”, thotë z. Kletenik.
“Këto gjetje - vazhdon studiuesi - mund të ndihmojnë në shpjegimin se si disa sëmundje neurodegjenerative mund të çojnë në ulje të kreativitetit, ndërsa të tjerat mund të shfaqin një rritje paradoksale të krijimtarisë.
Ato gjithashtu mund të tregojnë potencialisht një mënyrë të re për të stimuluar trurin dhe për të rritur kreativitetin njerëzor”.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments