Tiranë, Shqipëri | Kreu i Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë Muhamet Rrumbullaku në konferencën e sotme për mediat njoftoi finalizimin e një operacioni për arrestimin e z. Plarent Dervishaj dhe të z. Julian Meçe.
“Policia e Shtetit ka bërë të mundur sot arrestimin e dy eksponentëve të krimit të organizuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatave kriminale, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe.
Ky lloj bashkëpunimi është produkt i mundit, përkushtimit dhe gjakut të këtyre djemve dhe vajzave në strukturën e policisë së shtetit por edhe bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara për operacionin e fshehtë të policisë.
Dy emrat të cilët përmenda mund t’ju themi që është bërë ekzekutimi i vendimit të tyre dhe ata ndodhen pranë dhomave të sigurisë të Drejtorisë së Policisë Tiranë për vënien në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme”, tha drejtori i Përgjithshëm Rrumbullaku.
Z. Plarent Dervishaj është i njohur si kunati i ish-kreut të “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha.
Z. Dervishaj është një nga të akuzuarit e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për sulmin me armë zjarri ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, akt kriminal i ndodhur në vendin e quajtur mbikalimi i Shkozetit, përgjatë autostradës Tiranë-Durrës.
Përpjekja e dështuar për të vrarë prokurorin Ndoj, i cili udhëtonte në automjet me një nga krerët e agjenturës së krimit ordiner që vepron në qarkun e Durrëzit dhe në zonën e Sukthit të quajtur Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi), i njohur me nofkën “Rrumi i Shijakut”, ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019.
Si pasojë e sulmit të armatosur mbet i vdekur shoferi i ish-prokurorit ndoj, i quajtur Andi Maloku.
SPAK arriti të zbardhë këtë ngjarje kriminale pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në platformën e koduar “SkyECC” dhe pas finalizimit të hetimeve çoi në gjyq si të pandehur 9 veta.
Ata akuzohen si anëtarë të një grupi të kriminal që ndër vite ka planifikuar të paktën 3 herë vrasjen e ish-prokurorit Ndoj, i cili, atëbotë ushtronte funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Durrësit.
Në grupin e subjekteve kriminalë të akuzuar bëjnë pjesë të dënuarit Redian Rraja dhe Arjol Halilaj, ndërsa z. Plaurent Dervishaj akuzohet si porositësi i sulmit të armatosur së bashku me z. Ramazan Rraja, nipin e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.
“Z. Julian Meçe ka qenë numri 2 i bandës së Durrësit”, denoncoi dikur i pandehuri i drejtësisë penale Adriatik Coli.
Më 20 qershor të 2019 z. Julian Meçe dhe z. Plaurent Dervishaj iu bë një sulm me armë zjarri në autostradën Tiranë-Durrës, ku si pasojë mbetën të plagosur të dy.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments