Tiranë, Shqipëri | Policia e Shtetit njoftoi sot se u ekstradua nga Italia në Shqipëri z. Agron Tufa, me moshë 52 vjeç, banues në fshatin Nikël të Krujës.
Ai u kap në Bari, të Italisë, në muajin janar të vitit 2024, gjatë operacionit policor të koduar “Informacioni”, i finalizuar si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane të Shtetit.
Ai ishte i shpallur në kërkim policor ndërkombëtar sepse në vitin 2021, Gjykata e Krujës e ka dënuar me 30 vjet heqje lirie për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje.
Z. Tufa, në bashkëpunim me një tjetër subjekt (z. Hysni Rama) vrau armë zjarri, në fshatin Nikël, të Krujës, z. Kejsi Hysa (i njohur si Piku Fajdexhiu) dhe më pas i dogjën trupin.
Akti kriminal ngjau në muajin korrik të vitit 2018, ku z. Hysa u qëllua me një plumb të vetëm në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e mënjëhershme dhe më pas u gropos pranë parcelës me hashash.
Për vrasjen u bë shkak humbja e një sasie prej 50 kg hashash (kanabis).
Z. Hysa, që njihej edhe me disa emra të tjerë (Elion Hysa dhe Piku Hysa) ku më i spikaturi është “Piku Fajdexhiu”, kërkohej nga policia e Sarandës për vrasjen e z. Edmond Theodhori, ndërsa jetonte në Krujë ku jepte para me fajde dhe kultivonte hashash (lëndë narkotike kanabis sativa).
Në këtë zonë administronte i pa shqetësuar edhe një lokal të quajtur bar “Nikla”, ku ishte njohur edhe me Hysni Ramën.
Ky i fundit, e ndihmonte për të ruajtur lëndën narkotike kundrejt pagesave nga 100 deri në 200 euro. Prishja e raporteve mes tyre lindi për shkak të 50 kg hashash të humbur.
Z. Rama ka pretenduar se droga ishte vjedhur, ndërsa në këmbim, z. Hysa i kërkoi 15 mijë euro.
Për këtë arsye, ata kanë lënë takim për t’u sqaruar, ku sipas prokurorisë, janë përfshirë në debate të ashpra për shkak se i kishte sjellë vetëm 1 milion lekë të vjetra.
Në përleshje, Hysa i ka vënë pistoletën në kokë dhe e ka çuar deri tek parcela, por aty, vjen Agron Tufa dhe e qëllon në kokë.
Aty bien dakord për ta groposur viktimën dhe më pas shkojnë për të luajtur bilardo, duke lënë makinën e z. Hysa në vendngjarje.
Më vonë, në banesën e z. Rama ndajnë eurot e vjedhura të z. Hysa “Piku Fajdexhiut”.
Pas vrasjes, vëllai i të ndjerit, ka detyruar z. Hysni Rama të hipte në makinën e tyre dhe të tregonte të vërtetën.
Në këtë moment, z. Agron Tufa telefonoi strukturat e Policisë së Shtetit të cilat liruan z. Rama. Ngjarja kriminale u zbardh nga autoritetet vendore të hetimit penal dhe ishte e lidhur me çështje droge.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Komentáře