Kukës, Shqipëri | Strukturat vendore të Policisë së Shtetit arrestuan:
1- Z. Shpresim Hasanaj, me moshë 26 vjeç.
2- Z. Astrit Elezi, me moshë 31 vjeç.
Ata dyshohen për dhënie të ndihmës së paligjshme me qëllim kalimin e kufirit.
Ata kanë ndihmuar një 25-vjeçar për të udhëtuar në mënyrë të paligjshme në Belgjikë, më pas në Francë dhe me destinacion të planifikuar final në Britani të Madhe, i cili, është marrë dhe mbahet peng.
Policia e Shtetit - nëpërmjet Interpol Tiranës - po bashkëpunon ngushtësisht me Interpol Lionin, në Francë, me qëllim identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve që mbajnë peng 25-vjeçarin.
25-vjeçari shqiptar me origjinë nga Kukësi po mbahet peng në Francë nga disa persona të Vendeve të Treta në këmbim të parave.
Vëllai i këtij të fundit është paraqitur në policinë vendore ku ka kryer kallëzim, duke deklaruar se pengmarrësit kërkojnë 24 mijë paund në këmbim të lirimit.
Bashkë me autoritetet franceze ka nisur tashmë bashkëpunimi për lokalizimin dhe të riut dhe trafikantëve.
Në qendër të hetimit penal janë dy të arrestuarit e sipërcituar, të cilët po verifikohen nëse kanë bashkëpunuar apo jo me autorët që kanë marrë peng të 25-vjeçarin në Francë.
Njoftim | Shërbimet e DVP Kukës, në drejtimin e Prokurorisë, nisur nga kallëzimi i bërë nga një shtetas, se vëllai i tij, shtetasi A. S., është marrë peng në Francë, nga shtetas që transportojnë emigrantë në mënyrë ilegale, dhe se ata kanë kërkuar 24 000 paund për ta liruar, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar për dokumentimin e këtij rasti.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Garanti”, u bë ndalimi i shtetasve Shpresim Hasanaj, 26 vjeç, banues në fshatin Muholaj dhe Astrit Elezi, 31 vjeç, banues në Kukës, për veprën “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve", kryer në bashkëpunim.
Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndihmuar shtetasin A. S., 25 vjeç, banues në Kukës, për të kaluar në mënyrën të paligjshme kufirin nga Kukësi në Belgjikë dhe më pas në Francë, me destinacion final Britaninë e Madhe.
Në bashkëpunim me Interpolin dhe oficerin e kontaktit në Francë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.
Strukturat hetimore të DVP Kukës, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Interpol Tiranën, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë ngushtësisht me Policinë franceze dhe me Interpol Lionin, për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për të dokumentuar nëse 2 shtetasit e arrestuar në Kukës, që ndihmuan shtetasin A. S., për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, nga Shqipëria në Francë, kanë bashkëpunuar apo jo me shtetasit që kanë marrë peng 25-vjeçarin, në Francë, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments