
GJKKO me kërkesë të SPAK-ut ka firmosur tre masa sigurimi arrest në burg për:
1- Z. Safet Bajri.
2- Z. Astmer Bilali (krahu i tij djathtë).
3- Z. Behar Bajri (kushëri i tij).

Z. Safet Bajri akuzohet si i lidhur me ngjarje kriminale tejet të rënda (kryesisht në Shkodër).
Ai fillimisht u shoqërua në policinë e Shkodrës dhe më pas është sjellë nga forcat RENEA drejt Tiranës ku dhe do të intervistohet nga SPAK.
Sipas avokatit të z. Safet Bajri, ky i fundit ishte thirrur në orën 11:00 për të dhënë deklarime, por, pas mbërritjes në policinë e Shkodrës, i është komunikuar se marrja në pyetje e tij do bëhet në Tiranë.
Avokati nuk konfirmoi t'i jetë komunikuar ndonjë urdhër arresti, ndërsa pohoi se për herë të dytë kërkohet marrja e ADN-së së tij.
Ai është marrë nga shtëpia e tij në lagjen “Dobraç” pa bërë asnjë rezistencë dhe është nisur drejt Tiranës i shoqëruar me masa sigurie.
Z. Safet Bajri u shoqërua tre ditë pasi forcat speciale RENEA zbarkuan në lagjen ku banon për të kryer kontrolle.
Shoqërimi i tij vjen 3 ditë pasi SPAK ushtroi kontroll në banesën e tij ndërsa firmosi masën e arrestit me burg për z. Samuel Troshani dhe z. Izmir Sakica, të akuzuar si pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal të z. Bajri, në kuadër të hetimeve penale paraprake për përplasjen me armë të ndodhur në Rranxë( të Bushatit), më 23 gusht të vitit 2024, ku u godit me armë automjeti i blinduar “Audi A8”, me të cilin udhëtonin të lartpërmendurit.
Përplasja në Bushat: Të paktën 3 anëtarë të identifikuar të grupit të strukturuar kriminal Bajri në Shkodër kishin organizuar gjithçka, për të realizuar ndoshta një nga ngjarjet më të rëndë kriminale: Të vrisnin disa familjarë duke i shkuar befasisht në fshatin ku banonin.
Z. Samuel Troshani, z. Izmir Sakica dhe z. Franko Leka, bashkë me disa persona të tjerë ende të paidentifikuar nga SPAK-u, por të konsideruar të gjithë, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, u armatosën deri në dhëmbë, me armë dhe makina të blinduara, për të vrarë një nga rivalët e tyre, z. Aleksandër Prendi.
Grupi i shkoi në fshatin ku ai banon, në Rranxë të Bushatit, pasditen vonë të 23 gushtit të vitit 2024, për ta vrarë jo vetëm atë, por të edhe anëtarë të tjerë të familjes, banues në të njëjtën zonë.
Ndërkohë SPAK ka bashkuar në një dosje dhe masakrën e Dobracit ku humbën jetën katër veta.
Njoftim | Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve që po zhvillon për procedimin penal nr. 112 të vitit 2019 ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues.
Gjykata e Posaçme me vendimin nr. 12, datë 17.02.2025, ka vendosur:
– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg“, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personave nën hetim B.B; A.B dhe S.R, të dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës F.L, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 78/2 e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal;
Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedim penal, i cili lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018, rezulton se janë mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se personat nën hetim; B.B; A.B dhe S.R kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10.08.2018, në qytetin e Shkodrës, vrasjen me armë zjarri të shtetasit F. L, i afërm i shtetasit I.L. Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet ndër të tjera me atribuimin që shtetasi B.B, i bën shtetasit I.L për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit B.B,
Në datën 21.02.2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim B.B; A.B dhe S.R.
Prokuroria e Posaçme falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër për bashkëpunimin në fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit




Comments