TURISTI AUSTRALIAN KEMËRUN TUIS (CAMERON TWISS) HUMBI NË ALPET SHQIPTARE | FAMILJA PAJTOI HETUES PRIVAT PASI AUTORITETET NUK PO GJEJNË ASNJË GJURMË TË TIJ.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jun 25
- 1 min read

Shkodër, Shqipëri | Z. Kemërun Tuis (Cameron Twiss), me moshë 28 vjeç, nga Australia Jugore, hamendësohet se po udhëtonte i vetëm (pa udhërrëfyes) në një shteg malor 17 km të gjatë mes Valbonës dhe Thethit në veri të Shqipërisë më 13.10.2024.
Qysh prej atëhere, ai u zhduk.
Pasi u kumtua se ai kishte humbur, autoritetet vendore të hetimit penal kontrolluan vendin ku ai kishte bujtur dhe gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendet e tij vetjake dhe mjetin e identifikimit (pasaportë) - në një bujtinë në qytetin e Shkodrës.
Policia vendore dhe ekipet e shpëtimit u investuan dy javë në kërkime nga toka dhe ajri, madje duke përdorur edhe dronë, por nuk gjetën asnjë gjurmë të tij.
Familja e z. Tuis (Twiss) ka angazhuar një hetues privat për zbardhjen e fatit të tij.
“Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, ende nuk kemi përgjigje”, shkroi vëllai i tij Stjuart (Stuart).
“Deri më tani, policia shqiptare nuk ka gjetur asnjë provë. Familja jonë tani ka punësuar hetues privatë, por pavarësisht përpjekjeve të tyre, nuk kemi pasur asnjë përparim”, shprehet ai.

Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments