TRONDITJE E MADHE NË AUSTRALI | ABUZIM SEKSUAL ME MBI NJË MIJË FËMIJË NË ÇERDHE.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jul 1
- 2 min read

Sidnej, Australi | Autoritetet shëndetësore në Australi kanë bërë thirrje që 1200 fëmijë të testohen për sëmundje infektive, pasi policia akuzoi një ish-punonjës të kujdesit ditor për dhjetëra vepra penale seksuale thellësisht shqetësuese, në një rast që ka shkaktuar tronditje në të gjithë vendin.
Policia e Viktorias tha se një burrë 26-vjeçar është akuzuar për më shumë se 70 vepra penale që rrjedhin nga sulmet e dyshuara seksuale të tetë fëmijëve të moshës midis pesë muajsh dhe dy vjeç.
“Siç mund ta imagjinoni, ishte thellësisht shqetësuese për familjet ta dëgjonin këtë”, u tha gazetarëve komandanti i policisë Xhent (Janet) Stevenson.
“I dyshuari punoi në 20 qendra kujdesi për fëmijë në qytetin e Melburnit midis viteve 2017 dhe 2025”, shtoi komandanti Stevenson.
Zyrtari shtetëror i shëndetësisë, Kristian Mek’Greth (Christian McGrath), tha se 1200 fëmijë që mund të kenë rënë në kontakt me të akuzuarin duhet të testohen për ekspozim të mundshëm ndaj sëmundjeve infektive.
Autoritetet nuk specifikuan se ndaj cilave sëmundje mund të jenë ekspozuar fëmijët, por thanë se ato mund të trajtohen lehtësisht me antibiotikë.
“Ne e kuptojmë se ky është një element shtesë shqetësues për këtë situatë”, u tha gazetarëve z. Mek’Greth (McGrath), një mjek i sëmundjeve infektive.
Kryeministrja e shtetit, Xhesinta Elln (Jacinta Allan), tha se ishte e neveritur nga krimet e dyshuara.
“Ato janë tronditëse dhe shqetësuese. Dhe zemra ime thyhet për familjet që po jetojnë makthin më të keq të çdo prindi”, tha ajo.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments