Uashington, Amerikë | Analiza kërkon malinje të stomakut, ezofagut, kolorektalit, mushkërive dhe mëlçisë.
Për vite me radhë shkencëtarët kanë kërkuar të krijojnë testin përfundimtar të depistimit të kancerit - një test që mund të zbulojë me besueshmëri një sëmundje malinje herët, përpara se qelizat e tumorit të përhapen dhe kur trajtimet të jenë më efektive.
Një metodë e re e raportuar në Nature Communications i sjell studiuesit një hap më afër këtij qëllimi.
Duke përdorur një test gjaku, ekipi ndërkombëtar ishte në gjendje të diagnostikonte kancerin shumë kohë përpara se simptomat të shfaqeshin në pothuajse të gjithë njerëzit që testoi, të cilët vazhduan të zhvillonin kancer.
“Ajo që treguam është: deri në katër vjet përpara se këta njerëz të hyjnë në spital, tashmë ka nënshkrime në gjakun e tyre që tregojnë se ata kanë kancer”, tha z. Kun Zhang, një bioinxhinier në Universitetin e Kalifornisë, Shën Diego (San Diego), dhe një bashkëpunëtor-autor i studimit.
Përpjekjet e kaluara për të zhvilluar teste gjaku për kancerin zakonisht përfshinin studiues që mblidhnin mostra gjaku nga njerëzit tashmë të diagnostikuar me këtë sëmundje.
Më pas ata do të shihnin nëse mund të zbulonin me saktësi qelizat malinje në ato mostra, zakonisht duke parë mutacionet gjenetike, metilimin e ADN-së (ndryshimet kimike në ADN) ose proteinat specifike të gjakut.
“Më e mira që mund të provoni është nëse metoda juaj është po aq e mirë në zbulimin e kancerit sa metodat ekzistuese”, tha z. Zhang.
Në të kundërt, z. Zhang dhe kolegët e tij filluan të mbledhin mostra nga njerëzit përpara se të kishin ndonjë shenjë se kishin kancer.
Në vitin 2007, studiuesit filluan të rekrutojnë më shumë se 123000 individë të shëndetshëm në Taizhou, Kinë, për t'iu nënshtruar kontrolleve shëndetësore vjetore - një përpjekje që kërkonte ndërtimin e një magazine të specializuar për të ruajtur më shumë se 1.6 milion mostra që ata grumbulluan përfundimisht.
Rreth 1000 pjesëmarrës zhvilluan kancer gjatë 10 viteve të ardhshme.
Z. Zhang dhe kolegët e tij u përqendruan në zhvillimin e një testi për pesë nga llojet më të zakonshme të kancerit: malinje të stomakut, ezofagut, kolorektalit, mushkërive dhe mëlçisë.
Testi që ata zhvilluan, i quajtur PanSeer, zbulon modelet e metilimit në të cilat një grup kimik i shtohet ADN-së për të ndryshuar aktivitetin gjenetik.
Studimet e kaluara kanë treguar se metilimi jonormal mund të sinjalizojë lloje të ndryshme të kancerit, duke përfshirë kancerin e pankreasit dhe të zorrës së trashë.
Testi PanSeer funksionon duke izoluar ADN-në nga një mostër gjaku dhe duke matur metilimin e ADN-së në 500 vende të identifikuara më parë se kanë shanset më të mëdha për të sinjalizuar praninë e kancerit.
Një algoritëm i mësimit të makinës përmbledh gjetjet në një pikë të vetme që tregon gjasat e një personi për të pasur sëmundjen.
Studiuesit testuan mostrat e gjakut nga 191 pjesëmarrës të cilët përfundimisht zhvilluan kancer, të çiftëzuar me të njëjtin numër individësh të shëndetshëm që përputheshin.
Ata ishin në gjendje të zbulonin kancerin deri në katër vjet përpara se simptomat të shfaqeshin me afërsisht 90 përqind saktësi dhe një përqindje false pozitive prej 5 përqind.
“Studimi i ri ofron disa qasje interesante në kërkimin e një testi të kontrollit të kancerit të bazuar në plazmën e gjakut”, tha z. Kallin Pritçard (Colin Pritchard), një patolog molekular në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim.
Megjithatë, do të jetë e rëndësishme që një ekip tjetër kërkimor të vërtetojë në mënyrë të pavarur gjetjet në një grup të ndryshëm njerëzish përpara se testi të konsiderohet për përdorim klinik, thotë ai.
Znj. Usha Menon, një profesoreshë e kancerit gjinekologjik në University College London, e cila gjithashtu nuk mori pjesë në studim, vëren se metoda e z. Zhang dhe kolegëve të tij ofron një test bazë të fuqishëm dhe paraprak - një hap i parë thelbësor drejt një kontrolli komercial të kancerit.
“Autorët nuk po sugjerojnë që ata të kenë një test që mund të përdoret klinikisht në këtë fazë”, tha ajo.
“Ata janë të qartë se ajo që kanë është një demonstrim i fuqishëm paraprak i zbulimit të hershëm të llojeve të shumta të kancerit katër vjet përpara diagnozës konvencionale”, tha ajo.
“Me shumë mundësi, një test i tillë fillimisht do të synonte popullatat me rrezik të lartë”, tha znj. Menon.
Dhe do të kërkonte hartimin e një paneli të dytë testesh për t'u mundësuar klinicistëve të përcaktojnë llojin specifik të kancerit dhe të përjashtojnë pozitivet e rreme.
Z. Zhang beson se një veçori e tillë mund të zhvillohet me më shumë punë dhe ai pajtohet se nevojiten studime të mëtejshme.
“Duke pasur parasysh sfidat në përsëritjen e një përpjekjeje të kësaj përmasash, një partneritet qeveri-industri - tha ai - në mënyrë ideale do të ndërmerrte kërkimin vijues”.
Një test ideal do të synonte kanceret më të zakonshme, siç bëri studimi i z. Zhang, si dhe ato më vdekjeprurëset.
“Ka kancere ku zbulimi i hershëm mund të bëjë një ndryshim vërtet të madh”, thotë ai.
Kanceri i pankreasit, për shembull, është objektivi tjetër mbi të cilin po punojnë Zhang dhe kolegët e tij.
Nëse dhe kur testet e gjakut të kancerit bëhen të disponueshme, paralajmëron z. Priçard (Pritchard), ata ndoshta nuk do të jenë në gjendje të zbulojnë të gjitha kanceret përpara se të bëhen simptomatike.
“Një kancer mund të ketë një kohë shumë të gjatë, ndërsa një tjetër është shumë e shkurtër”, tha ai.
“Kanceret që rriten shumë shpejt mund të mos zbulohen edhe nëse dikush, për shembull, po bën një ekzaminim vjetor”.
Është gjithashtu e mundur që disa lloje të sëmundjeve malinje nuk mund të zbulohen kurrë nga analizat e gjakut, sepse ato nuk prodhojnë një sinjal të matshëm në plazmën e gjakut.
“Ne jemi ende shumë larg kryerjes së një testi të saktë të depistimit të pan-kancerit të bazuar në gjak. Por nuk është e pamundur të arrihet”, tha z. Pritçard (Pritchard).
Ka disa përpjekje të mëdha duke u zhvilluar, me disa premtime për të ardhmen.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
コメント