top of page
E BARDHË SHIRIT.png

TË DHËNAT NGA OSSERVATORIO OSSIGENO: 516 GAZETARË TË KËRCËNUAR NË ITALI NË VITIN 2024 | 7555 GAZETARË TË KËRCËNUAR QË NGA VITI 2006; PRESIONI FRIKËSUES PO RRITET.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Mar 21
  • 2 min read

Romë, Itali | Në vitin 2024, Osservatorio Ossigeno per l'Informazione zbuloi 516 kërcënime dhe frikësime në Itali kundër gazetarëve, blogerëve dhe punonjësve të tjerë të informacionit të prekur nga dhuna dhe abuzimi serioz, duke shkelur të drejtën për të informuar dhe për t'u informuar.

 

Me këto episode, Ossigeno ka numëruar 7555 gazetarë të kërcënuar nga viti 2006 e deri më sot.

 

Në vitin 2024, tre herë nga katër, kanosjet janë kryer me paralajmërime të llojeve të ndryshme (fyerje, shkrime ofenduese, postime në rrjetet sociale).

 

Njëzet e dy për qind e frikësimeve janë kryer me padi joserioze dhe veprime të tjera juridike joserioze (SLAPP), gjysma e të cilave kanë ardhur nga politikanë dhe administrata publike.

 

Sulmet dhe dëmet janë ulur në krahasim me vitin 2023.

 

Këto të dhëna u publikuan gjatë konferencës “Gazetarë. Shumë kërcënime, shumë heshtje. Çfarë duhet bërë?” që po zhvillohet në Romë, në Casa del Jazz, në përvjetorin e vrasjes së korrespondentes së Rai, Ilaria Alpi dhe kameramanit Miran Hrovatin.

 

I pranishëm ndër të tjera ishte edhe presidenti i Urdhrit Kombëtar të Gazetarëve, Karlo (Carlo) Bartoli.

 

Monitorimi i vitit 2024 konfirmon se Italia mbetet vendi evropian me më së shumti gazetarë të kërcënuar, me më shumë gazetarë të shoqëruar ose të mbrojtur nga forcat e rendit me forma të tjera mbrojtjeje, nënvizoi presidenti i Ossigeno, Alberto Spampinato.

 

Fenomeni nuk dëmton vetëm punonjësit e informacionit dhe mbrojtësit e të drejtave civile, por për pasojë miliona njerëz të cilëve u është mohuar e drejta për të marrë informacion.

 

516 gazetarët dhe blogerët e kërcënuar në vitin 2024, emrat e të cilëve raporton Ossigeno dhe peripecitë e të cilëve janë të dokumentuara (www.ossidori.info), janë vetëm maja e ajsbergut të këtij fenomeni të përmasave të mëdha që Observatori ka monitoruar dhe sjellë në vëmendjen e publikut për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet dhe për të cilin nuk ka masa të mjaftueshme.

 

Në vitin 2024, kërcënimet dhe kanosjet ndodhën në çdo muaj të vitit dhe në të gjitha rajonet italiane.

 

Numri më i madh i tyre u regjistrua në Lacio, Veneto, Siçili dhe Lombardi. Në vend të kësaj, Liguria, Veneto dhe Umbria janë rajonet me presionin më të lartë frikësues, bazuar në përqindjen e të kërcënuarve në krahasim me numrin e gazetarëve në aktivitet.

 

Shumica e kërcënimeve kanë ardhur nga subjektet dhe institucionet publike (26%) dhe pjesa tjetër nga mjedisi social (15%), nga krimi (13%).

 

Ndër gratë (në vitin 2024 janë 26% e totalit të të kërcënuarve), 35% e punonjësve të informacionit janë viktima të kërcënimeve me bazë gjinore (gjuhë urrejtjeje, fyerje seksiste, sulme fizike).

 

Ndër ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2024, në veçanti, Raporti i vitit 2024 thekson disa episode të gazetarëve të ndaluar nga policia në Romë, Padova dhe Messina ndërsa mbulonin protestat; përdorimin e trojanëve; kërkimet pushtuese për të zbuluar burimet e gazetarëve që nuk janë nën hetim; citimet për miliona euro dëmshpërblim, …

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page