SYRI VIGJILENT I XHERZHINSKIT THUHET SE ËSHTË NË RRUGËN E KTHIMIT PËR NË LUBIANKË.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Aug 3
- 5 min read

Nga z. Tomas Sniegon*.
Stokholm, Mbretëria e Suedisë | Statuja e Feliks Xherxhinskit (Felix Dzerzhinsky) do të kthehet në vendndodhjen e saj të mëparshme përpara Lubiankës, selisë së policisë së frikshme politike sovjetike dhe më vonë ruse.
Vendimi për të kthyer statujën e vitit 1958 në qendër të Moskës thuhet se është marrë tashmë.
Gazetari rus në mërgim, Mikhail Zigar (Zygar), ka shkruar për këtë në revistën gjermane të lajmeve “Der Spiegel”, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara.
Nëse kjo ndodh, kjo do të jetë thjesht një tjetër konfirmim i rolit vazhdimisht në rritje të terrorit dhe represionit në zemër të politikës së brendshme bashkëkohore ruse.
Por do të jetë gjithashtu mesazhi më i qartë që sundimtarët e Kremlinit u kanë dërguar ndonjëherë bashkëqytetarëve të tyre përmes monumentit të Xherzhinskit.
E pritur, por ndryshe këtë herë.
20 korriku shënoi saktësisht 100 vjet nga vdekja e themeluesit të policisë së parë politike sovjetike, “Çekës”, e cila shërbeu gjithashtu si shtylla kurrizore e diktaturës së parë “totalitare” me rëndësi globale të bazuar në një parti të vetme dhe një ideologji të vetme zyrtare.
Ky përvjetor i ofron Putinit dhe rrethit të tij të ngushtë një kornizë zyrtare për të legjitimuar aktivitetet përkujtimore të lidhura me Feliks Xherxhinskin (Felix Dzerzhinsky).
Më pak se dy muaj më parë, për shembull, Putini e përfshiu emrin e Xherzhinskit në titullin zyrtar të Akademisë së Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB).
Dhe në fillim të qershorit, një bust i Xherzhinskit u instalua në një ish-kamp fëmijësh pranë qytetit të Nizhni (Nizhny) Tagil.
Për të mos përmendur aktivitete të ngjashme në Krasnodar dhe Simferopol. Lista e “rikthimeve” sigurisht që nuk do të mbarojë këtu.
Për më tepër, më 11 shtator 2023, një replikë më e vogël e statujës së njohur të Xherzhinskit, e cila dikur qëndronte përpara selisë së KGB-së, u vendos përpara ndërtesës së Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme (SVR) në Moskë.
Në atë kohë, kjo shënonte 146-vjetorin e lindjes së një burri i cili, për shkak të fanatizmit të tij revolucionar komunist, fitoi nofkën “Feliksi i Hekurt”.
Megjithatë, situata aktuale është e ndryshme. Dhe është shumë më shqetësuese për shoqërinë ruse.
Sheshi Lubianka është, në fakt, një vend shumë unik.
Heqja e statujës së Xherzhinskit nga qendra e asaj që atëherë ishte Sheshi Xherzhinski, përpara ish-ndërtesës së KGB-së, në verën e vitit 1991 ishte po aq simbolike për ngjarjet në Evropën Qendrore dhe Lindore sa edhe shembja e murit monstruoz prej betoni në Berlin në nëntor të vitit 1989.
Kjo sinjalizoi shpresën për demokratizim, një shpresë që që atëherë është varrosur nga zhvillimet e mëvonshme në Rusi.
Edhe regjimi i Putinit - për të cilin “çekizmi” dhe parimet e një shteti policor janë bërë një doktrinë kryesore - deri më tani ka hezituar ta rivendosë statujën e Xherzhinskit atje, për shkak të potencialit shpërthyes që ajo të përçajë shoqërinë ruse.
Kremlini madje u tërhoq nga kjo ide gjatë diskutimeve mbi këtë temë vetëm pesë vjet më parë.
Megjithatë, në atë kohë, regjimi ishte ende nën presion nga aktivizmi qytetar.

NJË SKULPTURË E TË KUNDËRTAVE.
Që nga krijimi dhe zbulimi i saj në dhjetor 1958, statuja e Xherzhinskit është mbështjellë me simbolikë të çuditshme dhe të paqartë.
Është një vepër graniti 15 tonëshe nga skulptori sovjetik Jevgeni Vuçetiç (Yevgeny Vuchetich), bazuar në një dizajn nga arkitekti Grigori (Grigory) Zakharov.
Vetë statuja është gati gjashtë metra e lartë dhe lartësia e saj totale, përfshirë piedestalin, është 11 metra.
U krijua si pjesë e fushatës së destalinizimit të Hrushovit, një përpjekje për të humanizuar diktaturën komuniste.
Si pjesë e kësaj përpjekjeje, Stalini dhe shefi i tij “çekist” Lavrentii Beria do të fshiheshin nga historia e “komunizmit të mirë” sovjetik dhe regjimi do të kthehej te themeluesit e tij “pozitivë”, Vladimir Lenin dhe Feliks Xherxhinski (Felix Dzerzhinsky).
Gjatë kësaj “shkrirjeje”, Vuçetiç-i (i cili ishte edhe krijuesi i disa skulpturave të tjera të famshme, më të njohurat e “Mëmëdheu Thërret” në Volgograd, Monumenti i Luftëtarit-Çlirimtar në Parkun Treptou në Berlin dhe Monumenti i Mëmëdheut në Kiev) krijoi për herë të parë një skulpturë tjetër, të titulluar “Le t’i farkëtojmë shpatat duke i kthyer në plugje”.
Ai e përfundoi atë në vitin 1957 dhe ish-Bashkimi Sovjetik (BRSS) më pas ia dhuroi atë Kombeve të Bashkuara në Jorkun e Ri në vitin 1959, ku qëndron edhe sot në territorin e organizatës.
Memoriali i vitit 1958 i Xherzhinskit është, megjithatë, i frymëzuar edhe nga forma e një shpate - një shpatë e drejtë është e stampuar në piedestal, dhe forma përsëritet me pjesën më të gjerë në bazën e piedestalit dhe duke u ngushtuar gradualisht deri në majë, kokën e Xherzhinskit.
Këtë herë, megjithatë, jo që bota të mund të farkëtonte shpatat e saj në plugje si pjesë e një afrimi paqësor, por sepse Çeka e Xherzhinskit e paraqiti veten si “mburoja dhe shpata” e Partisë Komuniste - një mburojë për mbrojtje dhe një shpatë për vrasjen e armiqve.

Meqenëse Xherzhinski ishte një bashkë-arkitekt i terrorit të hershëm në Rusinë Sovjetike, në këtë drejtim, ai sigurisht që nuk ishte homolog i Berias.
Megjithatë, siç u përmend më sipër, “fryma e kohës” u shënua nga një përpjekje për të lehtësuar tensionet, dhe kështu këto kontradikta u errësuan në mënyrë efektive nga propaganda zyrtare e komunizmit sovjetik, i cili mori një formë më të pranueshme në atë kohë.
Edhe simbolika e largimit të Xherzhinskit në gusht të vitit 1991 nuk ishte plotësisht e qartë.
Nga njëra anë, largimi dhe zhvendosja e statujës në një vend të izoluar u prit me entuziazëm; nga ana tjetër, megjithatë, ajo ruajti politikën zyrtare të Bashkimit Sovjektik (BRSS), i cili nuk ndërmori kurrë ndonjë reformë themelore të KGB-së.
Duke “sakrifikuar” Xherzhinskin, regjimi i Gorbaçovit në prag të vdekjes shmangu një sulm edhe më radikal ndaj selisë së KGB-së ngjitur.
Nëse do të kishte ndodhur një sulm i tillë, regjimi do të kishte rrezikuar një fat të ngjashëm me atë të regjimit komunist në ish-Gjermaninë Lindore pas sulmit të demonstruesve ndaj selisë së “Stasi-t”.
Por asnjë nga figurat e fuqishme në Moskë në atë kohë nuk e donte diçka të tillë.
Për fat të mirë të regjimit, megjithatë, protestuesit u pajtuan me një zgjidhje gjysmëzemërshe.
Dhe statuja e Xherzhinskit qëndron ende - e paprekur dhe madje e restauruar - pranë qendrës së Moskës, së bashku me statuja të tjera nga epoka sovjetike në një park të quajtur Parku i Arteve Muzeon.
S’KA MË DYSHIME.
Megjithatë, kthimi i monumentit të Xherzhinskit në zemër të kryeqytetit rus nuk do të ishte vetëm një gjysmëmasë këtë herë.
Do të dërgonte një mesazh të qartë nga regjimi i Putinit për të gjithë shoqërinë ruse.
Udhëheqësit e vendit nuk u intereson fare se çfarë mendon kushdo. Dhe ajo që ju pret nuk është ndonjë pseudo-demokratizim, por vetëm forma gjithnjë e më intensive të terrorit psikologjik dhe fizik.
Edhe për ata që mund të kenë ende disa iluzione, Putini do të konfirmojë përfundimisht se nuk ka më asgjë tjetër për t'u ofruar bashkëqytetarëve të tij.
*Profesor i Asociuar - Qendra e Studimeve Evropiane për Gjuhë dhe Letërsi - Universiteti i Lundit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)








Comments