Tiranë, Shqipëri | Z. Suel Çela i akuzuar si kreu i një entiteti kriminal akuzohet nga Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion se është përfshirë në të paktën dy episode të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt porteve të Evropës.
Në episodin e parë z. Suel Çela ka bashkëpunuar me biznismenin Bujar Shega, i cili, konsiderohet të jetë ndër financuesit kryesorë të sasisë prej 930 kg kokainë që u sekuestrua në Portin e Ekuadorit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Boya Roja”.
Kontejneri mbërriti bosh në port, z. Suel Çela i kërkoi biznismenit Bujar Shega të hetonte në mënyrë private me qëllim gjetjen e shkaktarëve të dështimit të operacionit.
Ai iu përgjigj se: “do t’i shkonte deri në fund dhe se kishte kërkuar letrat e kamerat e sigurisë së portit”.
Z. Suel Çela e lajmëroi biznismenin Bujar Shega se nëse ka pasur tradhti nga personi që kishte marrë përsipër nxjerrjen e drogës nga porti, atëherë ai do të duhet ta paguante me kokën e tij.
Në episodin e dytë, z. Suel Çela bashkëpunon me z. Ergys Dashi (ky i fundit i vrarë me armë zjarri në Ekuador dhe me z. Ervin Mata).
Ngarkesa prej 446 kilogramësh kokainë që grupi i strukturuar kriminal nisi nga Ekuadori drejt Holandës u sekuestrua në portin e Roterdamit gjatë aksionit policor të datës 5 janar 2021.
Z. Ergys Dashi e njoftoi z. Suel Çela për kapjen e drogës nga agjencitë e zbatimit të ligjit, duke u shprehur se po haste vështirësi në gjetjen e dokumenteve për t’ja provuar këtë.
Në këtë episod rezulton të jetë i përshirë edhe z. Xhino Roka, i cili, kryente transfertat e parave nga Bashkimi Europian drejt vendeve të Amerikës së Jugut.
Z. Ergys Dashi përshkruhet nga hetuesit penalë si një subjekt me peshë në narkotrafik, me lidhje të forta në Ekuador, por që kërkonte aleancë me z. Suel Çela për të garantuar nxjerrjen e sasive të kokainës në portet e Europës.
Nëse do të realizohej, z. Ergys Dashi garantonte z. Suel Çela se mund të niste deri në 10 ton kokainë.
Ngarkesat fillonin nga 300 kg e lart, pasi në këtë mënyrë kishin dhe mundësi financiare për të korruptuar zyrtarët që ushtronin funksione në porte.
Z. Ergys Dashi ishte i pari që kuptoi se ishin tradhtuar nga telefonat që mbartnin platformën e koduar (SkyEcc), dhe pikërisht këtë konstatim të tijin ia pat kumtuar edhe z. Suel Cela.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments