Shkodër, Shqipëri | Strukturat vendore të Policisë së Shtetit referuan në prokurorinë e Shkodrës akte proceduriale penale në ngarkim të z. Dritan Brahimi, për veprën penale “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër”.
Z. Brahimi njihet si artist (aktor humori).
Ai ka performuar në programin humoristik “Al Pazar”.
Ai ka qenë pjesë e formatit televiziv të tejçuar në kohë reale “Big Brother Vip”.
Njoftim | Komisariati i Policisë Shkodër, menjëherë pas marrjes së njoftimit nga Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (P.P.N.E.A), për një shpend të rrallë të mbrojtur me ligj, që mbahej nga një shtetas, bazuar dhe në disa video të publikuara në rrjetet sociale, kanë kryer veprimet hetimore për rastin.
Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. B., 37 vjeç, banues në Shkodër, për vepren penale “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër”.
Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjet shpendi, i cili aktualisht po trajtohet nga specialistët e menaxhimit veterinar të bashkisë Shkodër.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentarios