Prishtinë, Kosovë | Strukturat e Posaçme të Policisë së Republikës së Kosovës arrestuan:
1- Z. Arben Lamçe.
Arrestimi i tij u krye mbështetur mbi një urdhër-arresti të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në kuadër të vijimit të operacionit të koduar “Plumbi i Artë 2”, i ndërmarrë nga SPAK, Policia e Shtetit dhe strukturat policore në Belgjikë, Holandë dhe Francë.
“Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të madh në lagjen ‘Emshir’ në Prishtinë, ku target ishte një person i kërkuar nga autoritetet e Shqipërisë. I njëjti është njëri nga emrat në listën e gjatë të rastit ‘Plumbi i Artë 2’”, raportojnë mediat në Kosovë.
Z. Lamçe akuzohet si për kryerje vrasjesh me pagesë.
Tashmë pritet që ai të ekstradohet në Shqipëri dhe të njihet me masën e sigurimit të shqiptuar ndaj tij nga GJKKO.
Operacioni “Plumbi i Artë” zbardhi vrasjet e 6 viktimave, të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë në vitin 2021.
Z. Lamçe njihet si pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal Çopja, i cili e ka pasur rezidenturën kryesisht në Elbasan.
Më 31 korrik 2024 me kërkesë të SPAK, GJKKO lëshoi 33 urdhërarreste, për grupin e vëllezërve Franc Çopja e Hajdar Çopja, që ndodhen jashtë territorit shqiptar dhe aktualisht në kërkim policor ndërkombëtar.
Z. Lamçe ka qenë i dënuar me 14 vjet heqje lirie në Itali i akuzuar për shfrytëzim prostitucionit.
Mbështetur mbi ligjin antimafia atij iu sekuestruan disa prona dhe lokale në Tiranë e Elbasan.
Ai u arrestua në Elbasan dhe u ekstradua drejt autoriteteve italiane të gjykimit penal në vitin 2011, ku ishte i shpallur në kërkim policor në funksion të shlyerjes së dënimit penal të shqiptuar ndaj tij nga gjykata e Breshias.
Në 2003, z. Lamçe u arrestua si një nga organizatorët e trafikut klandestin nëpërmjet detit.
Ai i kishte shpëtuar urdhërarrestit të shqiptuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë dhe kishte arritur të ndërronte edhe emrin në gjendjen civile, por pas një viti u arrestua pas një operacioni policor blic i ndërmarrë në orët e vona të natës.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentarios