Tiranë, Shqipëri | Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) vendosi nën sekuestro preventive dy prona të patundshme të deputetes Monika Kryemadhi dhe të nënës së saj, znj. Fatime Kryemadhi.
Pronat e patundshme të sekuestruara janë dy vila, në rezidencën “Kodra e Diellit”.
Një nga pronat e patundshme është nën emrin e deputetes Monika Kryemadhi, ndërsa prona tjetër është në emrin e nënës së saj, znj. Fatime Kryemadhi.
Njoftim | Mbi bazën e kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përmes vendimit nr.640 të datë 15 nëntor 2024, ka vendosur masën e sigurimit pasuror ‘Sekuestro preventive’ për dy prona në pronësi të shtetasve F.K dhe M.K.
Kjo masë vjen si vijim i veprimeve hetimore dhe proceduriale në lidhje me procedimin penal nr. 122 të vitit 2022.
Pasuritë e sekuestruara janë:
Ndërtesë në Selitë, Tiranë me sipërfaqe; kati përdhes, 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë; kati nëntokë 139 m2, kati i parë 79 m2, kati i dytë 51 m2, verande kati i dytë 27.9 m2 – në pronësi të shtetases F.K., me adresë Rezidenca “Kodra e Diellit”.
Ndërtesë në Selitë, Tiranë me sipërfaqe; kati përdhes 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë, kati nëntokë 139 m2, kati i parë 79 m2, kati i dytë 51 m2, verandë kati i dytë 27.9 m2, në pronësi të M.K., me adresë Rezidenca “Kodra e Diellit”.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme është ekzekutuar nga policia gjyqësore në datat 19 dhe 20 Nëntor 2024, duke vendosur bllokimin e pasurive në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe duke ua komunikuar këtë vendim pronarëve të pasurive.
Z. Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Monika Kryemadhi dyshohen se duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
コメント