SPAK-u MBYLLI HETIMET PENALE PARAPRAKE DHE DËRGOI NË GJYQ PANDELI BOZHËN DHE VLADIMIR LUSHKAJN: SHKELJE PENALE ZGJEDHORE.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jun 27
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbylli hetimet penale paraprake dhe dërgoi në gjyq paraprak aktet proceduriale penale në ngarkim të:
1- Z. Pandeli Bozha.
2- Z. Vladimir Lushkaj.
Njoftim | Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.60/1 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve:
Pandeli Bozha – i akuzuar për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, i parashikuar nga nenet 328 i Kodit Penal.
Vladimir Lushkaj – i akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”, i parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.
Hetimet për këtë procedim penal janë zhvilluar përmes metodave proaktive.
Gjatë procesit hetimor, nga kqyrja e pamjeve filmike dhe veprimet procedurale të autorizuara nga prokurori është dokumentuar një episod i datës 08.05.2025, rreth orës 10:00, kur shtetasi Pandeli Bozha ka shkuar në banesën e shtetasit Vladimir Lushkaj.
Në këtë takim, Pandeli Bozha i ka futur në xhep një kartëmonedhë dhe i ka treguar një fletë të ngjashme me atë të votimit, duke i sugjeruar emrin e kandidatit për të cilin duhet të votonte.
Pas marrjes në pyetje, shtetasi Vladimir Lushkaj ka dorëzuar pranë oficerëve të policisë gjyqësore kartëmonedhën dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku emri i kandidatit për deputet ishte theksuar me ngjyrë portokalli.
Këto materiale janë sekuestruar si prova në kuadër të këtij procedimi penal.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se veprimet e dokumentuara përmbushin elementë të veprave penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe Korrupsion pasiv në zgjedhje”, të parashikuara respektivisht nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal, thuhet në njoftimin zyrtar.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments