Tiranë, Shqipëri | Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kumton me anë të një njoftimi zyrtar (për herë parë) rolin e dy gazetarëve hetues, konkretisht të:
1- Z. Artan Hoxha;
2- Z. Elton Qyno, ndaj të cilëve është shqiptuar masa e sigurimit vetjak “detyrim paraqitje”.
Ata akuzohen si të lidhur me grupin e strukturuar kriminal të drejtuar nga z. Suel Çela, në Elbasan.
Kumtohet se z. Suel Çela (i njohur ndryshe dhe si Marjus Lulaj) ka synuar të manipulojë opinionin publik duke krijuar perceptime publike, se kundërshtarët e tij ishin të paprekshëm nga pikëpamja proceduriale penale, sepse, sipas tij, ata gëzonin lidhje me qarqe të larta të politikës shqiptare.
SPAK kumton se gazetarët hetues Hoxha dhe Qyno kanë bashkëpunuar me z. Suel Çela kundrejt përfitimeve financiare dhe kanë mbajtur qëndrime në ente të ndryshme mediatike, por edhe kanë botuar artikuj të shkruar - që sipas SPAK- që kanë shërbyer për të manipuluar opinionin publik.
“Marjus Lulaj (Suel Çela) ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën.
Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë ‘të paprekshëm’.
Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njejten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.
Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Sipas SPAK-ut subjekti kriminal i drejtuar nga z. Suel Çela kishte korruptuar gjithashtu edhe ish-gjyqtaren Patime Fetahu dhe funksionarin e policisë së shtetit Dedan Gjoni.
“Organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit (Dedan GJoni) dhe të sistemit gjyqësor (Pajtime Fetau) të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale.
Organizata kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit Suel Çela dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre.
Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments