SIRI: SI LINDI GRUPI “HAYAT TAHRIR AL SHAM” QË PO SULMON ALEPON? | U CILËSUA GRUP TERRORIST NGA OKB-ja + DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT + BASHKIMI EUROPIAN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Nov 30, 2024
- 3 min read

Alepo, Siri | Organizata xhihadiste-selefiste e Hayat Tahrir al Sham (Hts, ish-Fronti Al Nusra) është në qendër të skenës politike siriane dhe ndërkombëtare pas ofensivës së fundit kundër forcave besnike të presidentit Bashar al Assad, e cila, i çoi milicitë e HTS në luftime në portat e Alepos, qendra e dytë më e madhe siriane për nga numri i banorëve.
Origjina e “Hayat Tahrir al Sham” - i klasifikuar si një grup terrorist nga OKB-ja dhe Bashkimi Europian - daton që nga lufta civile që shpërtheu në vitin 2011 dhe sot grupi përfaqëson ende një lojtar vendimtar brenda peizazhit kompleks sirian.
Në vitin 2016, udhëheqësi i Jabhat al Nusra, Abu Muhammad al Jawlani, njoftoi shpërbërjen e formacionit Kaedist dhe lindjen e një organizate tjetër: Jabhat Fatah al Sham, e cila ndërpreu të gjitha lidhjet me Al Kaedën.
Kjo fazë e parë e riorganizimit u pasua nga një tjetër, në janar 2017, kur Jabhat Fatah al Sham u bashkua me fraksionet e tjera xhihadiste dhe mori emrin Hayat Tahrir al Sham, përsëri nën udhëheqjen e Al Jawlani.
Në vitin 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit përfshiu HTS në listën e organizatave terroriste ndërkombëtare.
Para fillimit të ofensivës së 27 nëntorit, “Hayat Tahrir al Sham” kontrollonte një zonë të kufizuar në disa nga zonat më veriperëndimore të provincës Idlib, me një numër total prej rreth 10 mijë militantësh, siç sqarohet me rezolutën 2021/655h të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.
Që nga viti 2017, Hts është bërë kështu fraksioni xhihadist numerikisht dhe cilësisht më i rëndësishëm për të kundërshtuar qeverinë e presidentit Al Assad, duke u përpjekur për ta rrëzuar atë.
Meqenëse organizata është bërë një aktor politik i rëndësishëm në terren, veprimet ushtarake nuk janë kufizuar vetëm në sulmin ndaj forcave besnike, por janë drejtuar edhe ndaj aktorëve lokalë të aftë për të kundërshtuar kontrollin territorial të grupit.
Ndër këto, vlen të kujtohen përleshjet me celulat e Al-Kaedës si Hurras al Din dhe Ajnad al Qawqaz, lufta kundër pranisë së Shtetit Islamik (IS) në veri-lindje të vendit dhe nënshtrimi i fraksione më të dobëta islamike si Ahrar al Sham.
Me kalimin e kohës, “Hayat Tahrir al Sham” ka arritur të krijojë një hapësirë për veten në marrëdhëniet me lojtarët me ndikim rajonal.
Mbi të gjitha, Turqia e cila, që nga shpërthimi i luftës civile në Siri, ka mbështetur ushtarakisht dhe ekonomikisht një grup fraksionesh të milicëve rebelë, të bashkuar nën emrin e Ushtrisë Kombëtare Siriane (ENS), të cilët, kundërshtojnë qeverinë e presidentit Al Assad.
Gjatë rrjedhës së konfliktit civil më shumë se dhjetëvjeçar, Turqia është përpjekur të zbusë dallimet midis ENS dhe HTS dhe të promovojë koordinimin në terren për qëllime ushtarake, sipas faqes së informacionit “Al Monitor”.
Nga ana e tij, ish-përfaqësuesi Special i SHBA-së për Sirinë, James Jeffrey, nënvizoi se si HTS është bërë opsioni më pak i keq midis të pranishmëve të ndryshëm në Idlib, duke pasur parasysh aftësinë e tij për të luftuar IS-in dhe qelizat e lidhura me Al Kaedën.
Sinergjia e interesave midis Turqisë, Ushtrisë Kombëtare Siriane dhe “Hayat Tahrir al Sham” ka rezistuar me kalimin e kohës.
Sipas raporteve të Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), një qendër monitorimi me qendër në Londër, por me një rrjet të madh informacioni në Siri, ofensiva e nisur nga grupet rebele më 27 nëntor u krye me mbështetjen e Turqisë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Commentaires