SHTETET E BASHKUARA TË MEKSIKËS: 39 TË MITUR TË VRARË + 97 TË ZHDUKUR SI PASOJË E LUFTËS CIVILE QË PO ZHVILLOHET BRENDA KARTELIT SINALOA QË NGA MUAJI SHTATOR I VITIT TË KALUAR.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 6 days ago
- 2 min read

Meksiko Siti, Shtetet e Bashkuara të Meksikës | Të paktën 39 të mitur janë vrarë dhe 97 të tjerë rezultojnë të zhdukur në Meksikën perëndimore në luftën e zhvilluar që nga shtatori i kaluar nga dy fraksione të kartelit Sinaloa, një nga grupet më të fuqishme të trafikimit të drogës në vend.
Autoritetet e kanë bërë të ditur këtë.
Karteli Sinaloa u themelua nga z. Zhoakin (Joaquin) “El Chapo” Guzman, i cili po vuan një dënim me burgim të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nga z. Ismael “El Mayo” Zambada, i cili, u arrestua në Teksas në muajin korrik.
Mbështetësit e z. Maio (Mayo) akuzojnë djemtë e Çapos (El Chapo) se e kanë tradhtuar atë dhe ua kanë dorëzuar autoriteteve amerikane.
Përleshjet shpërthyen shtatorin e kaluar në Kuliakan (Culiacan), kryeqytetin e shtetit të Sinaloa-s.
“Tridhjetë e nëntë fëmijë kanë humbur jetën në këtë konflikt të armatosur”, tha për agjencinë e lajmeve “AFP”, z. Askër (Oscar) Loza, president i Komisionit të të Drejtave të Njeriut të shtetit Sinaloa.
97 të mitur të tjerë u zhdukën gjatë të shtënave, shtoi zyrtari, duke cituar të dhëna nga zyra e prokurorit rajonal.
Incidenti i fundit ndodhi të hënën e kaluar, kur dy vajza të moshës 7 dhe 12 vjeç vdiqën pasi u kapën në një përleshje midis anëtarëve të Gardës Kombëtare dhe një grupi të armatosur.
Sipas autoriteteve, të shtënat ndodhën në komunën e Badiraguato-s, vendlindja e Çapo (El Chapo) Guzmanit dhe udhëheqësve të tjerë të kartelit Sinaloa.
Një djalë tjetër 12-vjeçar u plagos së bashku me prindërit e tij dhe dy anëtarë të tjerë të familjes.
Lufta midis trashëgimtarëve të Çapos (El Chapo) dhe fraksionit të Maios (El Mayo) ka lënë më shumë se 1200 të vdekur dhe 1400 të tjerë të zhdukur, dhe ka pasur një ndikim të thellë në ekonominë dhe jetën e përditshme të kryeqytetit, Kuilakan (Culiacán), dhe lokaliteteve të tjera në Sinaloa.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments