Shën Gjin, Shqipëri | Strukturat vendore të Policisë së Shtetit bllokuan rrugën që të çon drejt zonës turistike të Ranës së Hedhun për të shmangur rrezikun për banorët dhe turistët.
Flakët te Rana e Hedhun morën përmasa të frikshme duke mbuluar të gjithë zonën.
Zjarri rrezikoi bizneset, banesat dhe gjithçka tjetër.
Flakët kanë mbërritur pranë mureve të një hoteli, duke detyruar turistët të largohen.
Prej orës 07:00 të mëngjesit të 30 korrikut ka nisur ndërhyrja nga ajri me helikopter, me shpresën për të neutralizuar flakët, por situata sa vjen dhe përkeqësohet.
Një efektiv i zjarrfikëses është lënduar, teksa po punonte në shuarjen e flakëve. Ai është rrëzuar dhe ka thyer krahun. Është dërguar me urgjencë për ndihmë mjekësore në spitalin e Lezhës.
20 mjete zjarrfikëse punuan në terren gjatë natës nga disa qytete; Lezha, Mirdita, Kamza, Tirana, Berati Fieri, Lushnja, Vau i Dejës dhe Shkodra.
Operacioni gjatë gjithë natës është ndjekur nga Prefekti i Qarkut, nënkryetarët e bashkisë Lezhë, Drejtori i Gatishmërisë, Drejtori i Përgjithshëm të MZSH në MB, 3 furgonë të FNSH, (1 Shkodra, 2 Tirana), Drejtori Policisë Vendore Lezhë, si dhe forca të shumta policore.
Ndërkohë në ndihmë të tyre kanë dalë dhe banorë të zonës, të cilët po ndihmojnë në shuarjen e flakëve, teksa po përdorin dhe autobote uji private.
Flakët që ranë në Malin e Shëngjinit prej pasdites së 28 korrikut u riaktivizuan pasditen e së hënës, e megjithëse u ndërhy nga ajri me helikopter izolimi i flakëve ishte i pamundur.
Zjarri ra fillimisht mbi qytetin e Shëngjinit, në fshatin Mal Shëngjin dhe si rezultat i ndërhyrjes u vu nën kontroll, nga ana veriperëndimore e qytetit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments