
Preshevë, Serbi | Një skemë e re administrative e zbatuar nga autoritetet serbe po përdoret për të realizuar spastrimin etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke i zhdukur ata nga regjistrat shtetërorë dhe duke u mohuar të drejtat qytetare.
Sipas përfaqësuesve të Këshillit Nacional për Medvegjën, mekanizmi i përdorur për çregjistrimin e shqiptarëve bazohet në raporte të rreme, të hartuar nga struktura të kontrolluara direkt nga qeveria e Beogradit.
Përmes këtyre raporteve, autoritetet serbe pretendojnë se shqiptarët nuk banojnë më në adresat e tyre të regjistruara, duke i fshirë ata nga regjistrat civilë.
“Një efektiv i thjeshtë i policisë mund të hartojë një raport ku thuhet se një qytetar nuk jeton më në adresën e tij dhe ajo merret si bazë ligjore për ta çregjistruar nga sistemi”, tha z. Arben Ferati, përfaqësues i Këshillit Nacional për Medvegjë.
Përveç kësaj, ligji i ri i Serbisë ka krijuar procedura të qëllimshme burokratike, duke vështirësuar përcaktimin e vendbanimit të përhershëm për shqiptarët.
Kjo përfshin kërkesa për të dëshmuar lidhje profesionale, ekonomike dhe sociale me adresën e regjistruar, të cilat rrëzohen përmes raporteve të falsifikuara nga autoritetet serbe.
Pasojat më të rënda të këtij operacioni të mirëorganizuar janë vërejtur në Medvegjë, ku 90% e shqiptarëve janë çregjistruar dhe kanë humbur të gjitha të drejtat si qytetarë.
“Flasim për 4,200 shqiptarë të zhdukur nga regjistrat vetëm në këtë komunë”, tha z. Ferati.
Zv/kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, e cilëson këtë si një formë të spastrimit etnik modern, duke theksuar se Serbia po përdor metoda administrative për të përvetësuar pronat e shqiptarëve, duke i lënë ata pa dokumente dhe pa të drejta ligjore.
Organizatat ndërkombëtare dhe institucionet e BE-së janë thirrur që të reagojnë ndaj kësaj praktike diskriminuese, e cila po zbatohet prej 14 vitesh dhe ka çuar në zhdukjen e popullsisë shqiptare nga regjistrat zyrtarë në Serbi.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Commenti