Beograd, Serbi | Ministri serb i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar, ka paralajmëruar sot prezantimin e një ekipi të ekspertëve shëndetësorë, të cilët do të merren me ndikimin e mundshëm të nxjerrjes së litiumit në shëndetin e qytetarëve të vendit.
I ftuar në stacionin radioteleviziv “Rts”, ministri Lonçar deklaroi se në ekip do të jenë përgjegjësi i departamentit të higjienës, që merret me ndotjen e mjedisit, ekspertë epidemiologjie dhe shumë të tjerë me përvojë të madhe.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës që kundërshton projektin e nxjerrjes së mineraleve “Ne damo Jadar”, Zlatko Kokanoviq, ka ftuar qytetarët e Beogradit dhe të gjithë qytetarët e Serbisë që të marrin pjesë në protestën e planifikuar për të shtunën më 10 gusht në kryeqytet.
Z. Kokanoviç i tha agjencisë së lajmeve “Beta” se demonstrata në Beograd nuk ka të bëjë vetëm me hapjen e minierës së litiumit në luginën e lumit Jadar, dhe se qëllimi është të parandalohen kompanitë e huaja që të hapin miniera në të gjithë Serbinë.
Ditët e fundit marshime proteste janë zhvilluar në 28 qytete të Serbisë dhe sipas njoftimeve deri të shtunën do të mbahen edhe në 19 qytete të tjera të vendit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments