
Uashington, Amerikë | UFO-t - Objekte Fluturuese të Paidentifikuara - janë reale dhe qytetarët amerikanë meritojnë të dinë të vërtetën për këtë fenomen.
Këtë e deklaruan dje disa ish-zyrtarë të qeverisë dhe ushtrisë amerikane gjatë një seance dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.
“Ne nuk duhet të mbyllim një sy, por të përballemi me guxim me këtë realitet të ri dhe të mësojmë prej tij”, tha admirali i marinës amerikane në pension Tim Gallaudet, i cili, u tha ligjvënësve se kishte vëzhguar personalisht objekte fluturuese të paidentifikuara gjatë stërvitjeve detare pothuajse një dekadë më parë, duke thënë se ai ishte i bindur se nuk jemi vetëm.
Seanca dëgjimore e djeshme, e organizuar nga dy nënkomisione të Dhomës së Përfaqësuesve, është pjesë e një sërë nismash të Kongresit për të siguruar transparencë më të madhe për UFO-t.
Dëshmitarët thanë se kishin vëzhguar fenomene ajrore që kishin karakteristika që kundërshtonin shpjegimin fizik dhe shtuan se agjencitë federale të SHBA kishin ndërmarrë hapa për të fshehur njohuritë e tyre për këtë çështje.
Admirali Gallaudet tha dje se për herë të parë kishte konfirmimin e ekzistencës së UFO-ve në vitin 2015, kur ai punonte për Marinën.
Rreth asaj kohe, tha ai, ai mori një email nga një oficer i Komandës së Forcave të Flotës së SHBA me një video të një objekti fluturues të marrë nga një avion ushtarak gjatë stërvitjeve.
“Në email thuhej se disa kontakte të ngushta midis avionëve të marinës dhe objekteve fluturuese të paidentifikuara kishin ndodhur tashmë me rrezikun e përplasjeve në ajër dhe se ushtrimet rrezikonin të anuloheshin për këtë arsye”, tha admirali Gallaudet.
Sipas oficerit në pension, objekti fluturues i paraqitur në video kishte karakteristika fluturimi dhe strukturore që nuk janë parë kurrë në asnjë prej avionëve tanë.
“Të nesërmen, tha ai, emaili u zhduk pa shpjegime nga llogaritë e tij dhe të të tjerëve. Asnjë oficer i lartë nuk diskutoi atë që ndodhi atë ditë”, shtoi ai.
Në vitin 2022, Kongresi mbajti seancën e tij të parë në mbi 50 vjet për UFO-t, të cilat që atëherë janë quajtur fenomene anormale të paidentifikuara ose UAP.
Që atëherë, ligjvënësit dhe publiku kanë dëgjuar zyrtarë ushtarakë dhe të inteligjencës të dëshmojnë se ata kanë parë personalisht UAP-të dhe madje edhe grumbullimin e mbetjeve biologjike dhe se këto dukuri mund të përbëjnë një rrezik për sigurinë kombëtare.
Pentagoni nuk iu përgjigj kërkesës së Wall Street Journal për koment në lidhje me përmbajtjen e seancës së djeshme.
Në të kaluarën, departamenti ka thënë se nuk ka prova që UFO-t janë në të vërtetë anije kozmike aliene.
Qeveria federale ka nisur të nxjerrë disa informacione rreth këtyre avionëve dhe disa degë të ushtrisë po hetojnë fenomenin.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
留言