Athinë, Greqi | “Cisterna e naftës së papërpunuar në pronësi greke Delta Blue ka raportuar katër sulme në portin Mokha të Jemenit, gjatë 24 orëve të fundit”, tha të premten agjencia e Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar.
Menaxheri i anijes tha se anija dhe ekuipazhi i saj ishin të sigurt.
Militantët Huthi të Jemenit të lidhur me Iranin kanë nisur sulme ndaj anijeve ndërkombëtare në rajonin e Detit të Kuq që nga nëntori në solidaritet me palestinezët në luftën midis Izraelit dhe Hamasit.
Të enjten, kapiteni i cisternës Delta Blue raportoi se dy anije të vogla ishin afruar dhe qëlluan një granatë me raketë e cila shpërtheu pranë anijes me flamur të Liberisë rreth 45 milje detare në jug të Mokha.
“Secila nga dy varkat e vogla kishte katër persona në bord”, tha agjencia UKMTO. Disa orë më vonë, një tjetër raketë shpërtheu pranë cisternës.
Të premten, UKMTO tha se anija kishte raportuar një sulm tjetër nga një anije sipërfaqësore pa ekuipazh dhe një nga një raketë që u ul pranë anijes.
E pyetur për incidentet, Delta Tankers me bazë në Athinë i tha agjencisë së lajmeve Rojtërs (Reuters) se ekuipazhi dhe anija ishin të sigurta.
“Anija po vazhdon udhëtimin e saj përpara”, shtoi menaxheri i Delta Blue.
Sulmet kanë tërhequr sulme hakmarrëse të SHBA-së dhe Britanisë dhe kanë ndërprerë tregtinë globale pasi pronarët e anijeve i ndryshojnë anijet larg Detit të Kuq dhe Kanalit të Suezit për të lundruar në rrugën më të gjatë rreth majës jugore të Afrikës.
“Forcat ushtarake amerikane goditën objektivat në Jemenin e kontrolluar nga militantët Huthi të mërkurën, duke shkatërruar dy drone, një stacion kontrolli tokësor Huthi dhe tre raketa lundrimi kundër anijeve”, tha Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM).
Më herët, lëvizja Huthi tha se kishte sulmuar një tjetër anije kontejnerësh në pronësi greke në Detin e Kuq dhe dy destrojerë amerikanë në Gjirin e Adenit.
Sulmet nuk u konfirmuan nga CENTCOM ose menaxheri i anijes, i cili tha se anija dhe ekuipazhi i saj ishin të sigurt.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Bình luận