Tiranë, Shqipëri | Për të blerë një send, objekt, të patundshëm ose jo, qytetarët shqiptarët mund të paguajnë me para të thata gjithë shumën e transaksionit, pavarësisht se sa e lartë mund të jetë ajo.
Por nga viti 2026 kjo nuk do të jetë më e mundur.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka vendosur të kufizojë pagesat me pare të thata (kesh), me qëllim uljen e përdorimit masiv të parasë fizike në vend.
“Burimi i parave të thata, nëse një individ ka një të ardhur 80 mijë lekë të rinj në muaj dhe shpenzon 200 mijë lekë të rinj në muaj, pra jashtë burimit të ligjshëm, logjikisht që këtë diferencë e ka të krijuar nga burime të paligjshme”, tha Ministria e Financave, e Republikës së Shqipërisë.
Duke ndjekur rekomandimet e Komisionit Europian, Shoqata e Bankave rekomandon vendosjen e një tavani për pagesat me para të thata në vlerën e jo më shumë se 750 eurove.
Në planin e veprimit 2024-2027 të Ministrisë së Financave, të Republikës së Shqipërisë (printscreen) thuhet gjithashtu dhe se do të ulet tavani që ekziston aktualisht për bizneset që është në vlerën 150 mijë lekëve të rinj.
Në ekonominë shqiptare qarkullojnë aktualisht rreth 1.71 trilionë lekë të rinj, nga të cilat mbi 402 miliardë apo gati 24 për qind e totalit, jashtë sistemit bankar.
Ekspertë të sistemit të pagesave vlerësojnë se caktimi i këtij tavani nga njëra anë do të ulte sasinë e parave jashtë bankave e nga tjetra do të ndihmonte qytetarët në veçanti dhe ekonominë në përgjithësi.
“Përfitimet janë në drejtim të sigurisë, po ashtu edhe të uljes së informalitetit. Gjithashtu rritet konkurrenca e ndershme dhe eliminohet korrupsioni”.
Burime nga Ministria e Financave, e Republikës së Shqipërisë pohojnë se bashkë Bankën e Shqipërisë dhe Shoqatën e Bankave, do të ngrihet një grup pune për të ulur komisionet që aplikohen gjatë pagesave me kartë.
Kështu pritet që të rritet ndjeshëm numri i terminaleve të pagesave, që aktualisht është në rreth 19 mijë nga 120 mijë biznese që gjenden në territorin shqiptar.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments