top of page
E BARDHË SHIRIT.png

QEVERIA SHQIPTARE PËRCAKTOI PLANIN E MASAVE QË LIDHEN ME SIGURINË E KULTIVIMIT TË KANABISIT MJEKËSOR.

Writer's picture: Agjencia Telegrafike VoxAgjencia Telegrafike Vox

Tiranë, Shqipëri | Qeveria shqiptare miratoi sot (09.01.2025) standardet e planit të sigurisë e të elementeve të mbrojtjes për sipërfaqen për kultivim dhe përpunim të bimës së hashashit (kanabis sativa) për qëllime mjekësore dhe rregullave të lëvizjes së automjeteve të dedikuara të transportit të lëndëve të para dhe produkteve, që duhet të plotësojnë subjektet e licencuara.

 

Vendimi u muar sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave me propozimin e ministrit të Brendshëm, të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

 

Subjekti i licencuar për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore në ambientet ku ushtrohet aktiviteti duhet të plotësojë disa standarde, duke nisur nga ambientet që duhet të jenë të monitoruara në vazhdimësi me sistem të kamerave CCTV.

 

Imazhet filmike të sistemit të kamerave duhet të ruhen të paktën për 90 ditë në NRV/Server dhe të paktën për një periudhë 1-vjeçare në memorie ‘Cloud’ me vendndodhje në një nga vendet e BE-së”, thuhet në vendimin qeveritar.

 

Sistemi i kamerave CCTV monitoron sipërfaqen, brenda dhe jashtë ambienteve të njësisë së prodhimit, duke u orientuar në mënyrë që të sigurohet identifikim i qartë dhe i sigurt i ambienteve dhe i të gjithë individëve që aksesojnë apo lëvizin brenda tyre apo në ambientet e jashtme pranë rrethimit.


Po ashtu në varësi të vlerësimit të rrezikut dhe në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, duhet që lidhja e sinjalit të alarmit, në nivel qendror dhe/ose vendor, të jetë e lidhur edhe me sallat e komandimit/informacionit të Policisë së Shtetit.


Në vendim thuhet më tej se sipërfaqja ku kultivohet kanabisi për qëllime mjekësore duhet të ruhet 24 orë pa ndërprerje.


Sipas vendimit për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të hapura ose të mbrojtura rrethohet nga jashtë me mur betoni të qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 (njëzet e pesë) cm dhe lartësi 4 m nga toka, mbi të cilin vendoset tel me gjemba.


Hyrja në ambientet e njësisë është e kufizuar dhe mundësohet përmes një porte hekuri që garanton aksesin vetëm për personat dhe mjetet e autorizuara si dhe monitorohet nga kamerat”, thuhet në vendimin qeveritar.

 

Porta e hyrjes kontrollohet nga personel i autorizuar për sigurinë, i cili mban evidencë për çdo hyrje-dalje të personave, automjeteve dhe mallrave”, thuhet në vendimin qeveritar.

 

Po ashtu janë përcaktuar edhe rregullat që duhet të ndiqen nga subjekti i licencuar për lidhjen e marrëveshjes për ruajtjen dhe sigurinë fizike, si dhe lëvizjen e automjeteve të dedikuara të tregtimit të lëndëve të para dhe produkteve.

 

Transporti i bimës, nënprodukteve dhe produkteve të saj të destinuara për përdorim mjekësor, të prodhuara nga bima e kanabis-it nga prodhuesi i licencuar, duhet të bëhet me mjete transporti të tilla që të sigurojnë ruajtjen e barit në temperatura as më të larta e as më të ulëta sesa ajo që thuhet në etiketim ose fletudhëzuesin e barit”, thuhet në vendimin qeveritar.

 

Sipas vendimit subjekti i licencuar duhet të sigurojë që automjeti i transportit të jetë i mbyllur, i vulosur dhe i pajisur me GPS, me qëllim monitorimin pa ndërprerje të lëvizjes nga origjina në destinacion dhe të ketë kamera që monitorojnë materialin që transportohet.

 

Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të kanabis-it, subjektet e licencuara, si dhe subjektet e ngarkuara për ruajtjen dhe sigurinë për zbatimin e këtij vendimi.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

コメント

5つ星のうち0と評価されています。
まだ評価がありません

評価を追加
bottom of page