PUTINI VISHET ME JELEK ANTIPLUM | RUHET ME MASA TË RREPTA SIGURIE QË PAS SULMIT ME ARMË NDAJ KRYEMINISTRIT FIKO (FICO).
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jun 5, 2024
- 2 min read
Moskë, Federata Ruse | Presidenti rus Vladimir Putin vishet me jelek antiplumb në ngjarjet publike në natyrë, duke përfshirë ato të mbajtura në Moskë, të paktën që nga viti 2023, thanë zyrtarët rusë për gazetën online Kohërat e Moskës (Moscow Times), duke nënvizuar se shërbimet speciale kanë rritur masat tashmë të rrepta të sigurisë së presidentit në një nivel të paprecedentë.
Vendimi për të veshur jelek antiplumb në ngjarjet publike në natyrë, përfshirë 9 majin në paradën e Ditës së Fitores - sipas një prej këtyre burimeve - u mor me rekomandimin e Shërbimit të Sigurisë Presidenciale (SBP), një njësi e brendshme e Shërbimit Federal të Gardës (FSO) që mbron presidentin.
“Kremlini e merr shumë seriozisht sigurinë e Vladimir Putin. Ai mbrohet nga një ushtri e tërë rojesh të dukshme dhe të padukshme”, i tha gazetës një zyrtar që mori pjesë në paradën e 9 majit 2024.
Shërbimet e sigurisë ishin veçanërisht në gatishmëri të lartë pas vrasjes së kryeministrit japonez Shinzo Abe në vitin 2022 dhe tentativës së muajit të kaluar për të vrarë kryeministrin sllovak Robert Fiko (Fico), shtoi zyrtari.
Pas sulmit ndaj kryeministrit Fiko (Fico), zëdhënësi i Kremlinit Dmitri (Dmitry) Peskov tha se masat e sigurisë janë në nivelin standard.
Ne po bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të garantuar sigurinë e presidentit.
“Në realitet - shkruan gazeta - shërbimet speciale monitorojnë praktikisht çdo aspekt të jetës së Putinit, deri në testimin e të gjitha vakteve të tij me një laborator portativ për të verifikuar se nuk ka gjurmë helmi, tha një burim pranë Kremlinit.
Presidenti ka kuzhinierë personalë që udhëtojnë gjithmonë me të, së bashku me sende ushqimore”, tha burimi për entin mediatik Kohërat e Moskës (Moscow Times).
Por edhe atëherë, ka gjithmonë një grup të veçantë zyrtarësh që udhëtojnë me Putinin dhe kontrollojnë të gjitha vaktet para se t'i shërbejnë Putinit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit