PROKURORJA E TIRANËS ORNELA RRUMBULLAKU U SHKARKUA NGA DETYRA NGA VETTING-u | NGA KEQARDHJA U LARGUA NGA SALLA E GJYQIT DUKE QARË.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Sep 4, 2024
- 1 min read
Tiranë, Shqipëri | Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shpalli të mërkurën më 4 shtator 2024 vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Ornela Rrumbullaku.
Vendimi u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga znj. Pamela Qirko, me relatore znj. Alma Faskaj dhe anëtare znj. Xhensila Pine.
Prokurorja Ornela Rrumbullaku u largua me lot në sy nga salla e “gjyqit” ku u dha vendimi.
Prokurorja Rrumbullaku u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa KPK nuk evidentoi probleme sa i përket kriterit profesional.
Por gjatë seancës dëgjimore të hënën, prokurorja Rrumbullaku dha shpjegime për bilancet negative në vlera të mëdha të konstatuara në burimin e krijimit të aksioneve të bashkëshortit në disa shoqëri private.
Ajo i kundërshtoi gjetjet e KPK-së, duke pretenduar se bashkëshorti nuk i kishte investuar ato para, por ishte dakordësuar me ortakët që të kontribuonte me konsulencë juridike.
Znj. Rrumbullaku përfundoi studimet e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Rrethit Kavajë.
Në vitin 2019, ajo u komandua si këshilltare pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Deri në momentin e shkarkimit nga detyra ajo ushtronte funksion në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments