Fier, Shqipëri | Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjyq për pastrim parash dy persona me lidhje familjare mes tyre që u kapën me lëndë narkotike dhe rreth 44 mijë euro të thata (kash) në banesë vitin e kaluar.
Në kuadër të hetimit pasuror të nisur ndaj të dyshuarve, janë evidentuar nga verifikimet financiare dhe kontabilitetit edhe pasuri të tjera, që nuk justifikohen, si mbi 8.8 milionë lekë dhe 6 automjete.
Prokuroria e Fierit bën me dije se përfundoi hetimet paraprake dhe dërgoi në gjyq paraprak:
1- Z. Arshi Hoxha.
2- Z. Eltjon Hoxha.
Ata akuzohen prej saj për kryerje të veprës penale “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e parashikuar kjo në nenin 287, të Kodit Penal.
Procedimi penal ndaj tyre, me numrin 776, të vitit 2023, nisi menjëherë pas operacionit policor dhe provave të gjetura nga kryerja e kontrolle fizike, për vepra penale në fushën e narkotikëve.
Gjatë aksonit u sekuestruan 40800 Euro dhe 3000 USD, si dhe disa kilogramë drogë e bimë narkotike të kultivuara.
“Të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë fshehur ose kryer mbulimin e natyrës së vërtetë dhe burimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, thuhet në njoftim.
Dhe sipas procedurave të kryera në vijim prej një viti, kryesisht ekonomike dhe juridike ndaj tyre dhe personave të tjerë të lidhur me ta (familjarë), janë zbuluar pasuri të tjera të pajustifikuara.
“Pas kryerjes së verifikimeve dhe ekspertimit kontabël të tyre, ka rezultuar se ato nuk kanë burime të ligjshme për krijimin e pasurisë në zotërim apo posedim të tyre”, thuhet në njoftim.
Prokuroria konfirmon gjithashtu se pasuria gjendje e tyre dhe e familjareve rezulton të jetë 6 automjete dhe shuma e parave cash në vlerën totale prej 8.778.866 lekësh, të cilat nuk justifikohen nga burime të ligjshme të ardhurash.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments