Karakas, Venezuelë | Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) ka miratuar njëzëri një rezolutë që kërkon nga qeveria e Venezuelës respektimin e të drejtave të njeriut, vullnetin sovran të elektoratit dhe verifikimin e paanshëm të rezultateve që garanton transparencën, besueshmërinë dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor.
Propozimi, i ndarë në shtatë pika, u prezantua nga Shtetet e Bashkuara me mbështetjen e Kanadasë, Argjentinës, Kilit, Ekuadorit, Paraguait, Guatemalës, Republikës Domenikane, Surinami dhe Uruguait.
Pas dy orësh negociatash, teksti u pranua edhe nga Brazili dhe Kolumbia, qeveritë e të cilave janë angazhuar në ndërmjetësim të vështirë në krizën që shpërtheu pas zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut 2024, pasi Këshilli Kombëtar Zgjedhor (Cne) shpalli fitues diktatorin çavisto-komunist Nikola Maduro, megjithatë duke mos treguar fletët e votimit në bazë të të cilave ka përcaktuar këtë rezultat.
As presidenti brazilian Luis Inacio Lula Da Silva dhe as homologu i tij kolumbian, Gustavo Petro, nuk e kanë njohur fitoren e diktatorit Maduros, por ata po përpiqen të mbajnë një kanal të hapur dialogu me qeverinë në Karakas.
Deri më tani presidenti Lula ka propozuar një përsëritje të zgjedhjeve të diskutueshme - një mundësi e hedhur poshtë si nga diktatori Maduro ashtu edhe nga opozita.
Presidenti Petro ka folur për një amnisti të mundshme për drejtuesit e Çavizmit, por kjo hipotezë gjithashtu nuk duket se ka bindur askënd.
Meksika iu bashkua Brazilit dhe Kolumbisë në këtë ndërmjetësim, por presidenti Andres Manuel Lopez Obrador ka njoftuar se po pezullon pjesëmarrjen e tij në këtë nismë, të paktën derisa Gjykata e Lartë e Drejtësisë (TSJ) e Karakasit të ketë përfunduar kontrollin e fletëve të votimit që dorëzoi CNE.
Dhe kështu delegati meksikan, së bashku me ata të Hondurasit, Bolivisë dhe Saint Vincent dhe Grenadines, nuk morën pjesë në debatin në OAS.
“Ishte një debat i vështirë, por ne e ruajtëm projektin”, shpjegoi një zyrtar i lartë i OAS që mori pjesë në diskutim, i cili tha se ishte shumë i nxehtë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments