Çernobio, Itali | Një plan për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë: kjo është ajo që presidenti Volodimir Zelenski përsëriti se donte t'i paraqiste presidentit amerikan Xhëu Baidn (Joe Biden) dhe kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë, Këmellë Heris (Kamala Harris) dhe Danlld tramp (Donald Trump).
“Nevoja për t'u konsultuar me Uashingtonin - nënvizoi presidenti ukrainas në forumin e Çernobios (Cernobbio), rrjedh nga fakti se ka disa pika që varen nga Amerika”.
Një shënim veçanërisht i rëndësishëm në ditët kur diskutimi midis Kievit dhe Uashingtonit për mundësinë e përdorimit të armëve të furnizuara nga SHBA për të goditur thellë në territorin rus po bëhet gjithnjë e më i mprehtë.
Presidenti Zelenski foli tashmë për planin më 27 gusht 2024, përvjetorin e pavarësisë së vendit të tij.
“Ne duam garanci”, ka përsëritur ai sot.
Ndoshta garanci amerikane për mbrojtjen kundër sulmeve të reja të mundshme nga Moska edhe pas përfundimit të konfliktit aktual.
Por gjithashtu, me sa duket, garancia që Shtetet e Bashkuara të mos kalojnë mbi kokën e qeverisë ukrainase për të kërkuar një kompromis në rënie me Rusinë.
Në ditët e fundit presidenti Zelenski tha se donte ta shtynte Moskën në negociata duke përdorur dy mënyra.
E para është ofensiva në rajonin rus të Kurskut.
E dyta mundësia e përdorimit të raketave të furnizuara nga SHBA dhe vendet e tjera të NATO-s për të goditur ato aeroporte ruse - jo më shumë se 300 kilometra nga kufiri, premton ai - nga ku nisen bombarduesit për të kryer sulme në Ukrainë.
Në ofensivën e Kurskut, Uashingtoni deri më tani nuk është shprehur qartë pro ose kundër.
Sa i përket përdorimit të raketave kundër territorit rus, administrata amerikane vazhdon të rezistojë.
Pas takimit që presidenti Zelenski pati dje në Gjermani me ministrat e mbrojtjes të vendeve të Grupit Ramstein, ai amerikan Lloid Ostin (Lloyd Austin) tha se ishte kundër, duke nënvizuar se sulmet ukrainase nuk do të përfaqësonin një pikë kthese.
“Nuk ka aftësi që në vetvete do të jetë vendimtare në këtë luftë”, tha shefi i Pentagonit.
Burimet amerikane dhe evropiane të cituara nga enti mediatik amerikan Wall Street Journal kanë akuzuar Iranin për dërgimin e raketave balistike në Rusi, përveç dronëve kamikazë vdekjeprurës Shahed, të cilët janë përdorur gjerësisht në sulmet e Moskës për disa kohë.
Burimet besojnë se Rusia nënshkroi një kontratë në muajin dhjetor në Teheran për të marrë 200 transportues balistikë taktikë me rreze të shkurtër veprimi Fath-360 dhe një sasi të caktuar dronësh me rreze të gjatë veprimi Ababil.
Misioni i përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara mohoi lajmin.
“Irani jo vetëm që përmbahet nga pjesëmarrja në veprime të tilla, por gjithashtu u bën thirrje vendeve të tjera që të ndalojnë furnizimin me armë për palët e përfshira në konflikt”, thuhet në një deklaratë.
Por ministria e Jashtme e Ukrainës tha se ishte thellësisht e shqetësuar.
“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të rrisë presionin ndaj Teheranit dhe Moskës për të mbrojtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha diplomacia e Ukrainës në një deklaratë.
Ndërsa ambasadori iranian në Moskë njoftoi se presidenti Massud Pezeshkian do të marrë pjesë në samitin e Brics-it në Kazan të Rusisë, muajin e ardhshëm, ku planifikon të takohet me presidentin rus Vladimir Putin.
Në terren, ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse njoftoi se trupat ruse kishin kapur një vendbanim tjetër në Ukrainën lindore.
Ky është Kalinovo, rajoni Donetsk.
Në të njëjtin rajon, burime ukrainase konfirmuan një bombardim rus në qytetin Kostyantynivka me tre të vdekur dhe tre të plagosur.
Shërbimet e sigurisë ukrainase (SBU) më pas raportuan se një dron kishte goditur një depo municioni në një rajon të paspecifikuar kufitar rus, ku shpërtheu një zjarr i madh.
“Mbrëmë rusët humbën një sasi të madhe municionesh dhe pajisjesh”, tha një burim i SBU për agjencinë e lajmeve AFP.
Rajoni mund të jetë ai i Voronezh-it, guvernatori i të cilit tha se mbeturinat nga një dron i rrëzuar shkaktuan një zjarr dhe një seri shpërthimesh.
Një fshat duhej të evakuohej.
Moska në vend të kësaj pretendoi se kishte bombarduar një sërë vendesh në Ukrainë, duke përfshirë punëtoritë e prodhimit për komponentët për raketat operative-taktike Grom-2 dhe mjetet ajrore pa pilot Palyanitsa.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
コメント