Romë, Itali | “Ne duhet të përballemi me revolucionin dixhital, me inteligjencën artificiale, e cila sjell me vete mundësi të mëdha, por rreziqe edhe më të mëdha.
Dhe në fakt i ka dhënë forcë një arme të vjetër sa bota: lajmeve të rreme.
Dhe ne duhet të jemi në gatishmëri për të siguruar informacion të vërtetë”, tha presidenti i Republikës së Italisë Serxhio Matarela (Sergio Mattarella).
Përpara përfaqësuesve të agjencive evropiane të shtypit, në takimin në Quirinale me Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve, Presidenti i Republikës Sergio Mattarella përsëriti se: “Liria dhe pluralizmi i medias garantojnë vendosjen e plotë të disa të të drejtave të domosdoshme për demokracinë dhe matjen e cilësisë së saj; e drejta për lirinë e shprehjes dhe informimit”.
“Informimi i lirë, i pavarur dhe plural është e drejtë e qytetarit, detyrë e të gjithëve që ta kërkojnë. Është kundërhelmi për t'iu kundërvënë dukurive manipuluese”, tha ai.
“Protagonistët e rinj globalë - kujton presidenti Matarela - kanë ndërhyrë në dimensionin e informacionit, me pretendimin e përcaktimit të standardeve dhe udhëzimeve të aksesit; gjithashtu me një përdorim të paskrupullt të platformave dixhitale që ata menaxhojnë dhe të inteligjencës artificiale; pavarësisht nga legjislacioni i vendosur për të mbrojtur integritetin e sektorit të medias”.
“Sot luftërat e vazhdueshme, duke filluar nga agresioni i Federatës Ruse ndaj pavarësisë së Ukrainës, përdorin armë hibride të luajtura në terrenin e lajmeve të rreme që synojnë opinionet publike të vendeve demokratike për t'i manipuluar ato. Raportimi i së vërtetës kundër veprimeve propagandistike që synojnë të falsifikojnë faktet dhe në këtë mënyrë të helmojnë ndërgjegjet është një përgjegjësi e shtuar për agjencitë e lajmeve”, tha presidenti Matarela.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments