Paris, Francë | Presidenti francez Emanuel Makron pritet në Arabinë Saudite nga nesër, 2 dhjetor, për një vizitë shtetërore, e cila, do të përfundojë të mërkurën më 4 dhjetor 2024.
“Udhëtimi - raporton Pallati Elysee - synon të konsolidojë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe të përfundojë një partneritet strategjik me synimin e shpallur për të ripërcaktuar bashkëpunimin midis Parisit dhe Riadit për dekadën e ardhshme”.
Sipas presidencës franceze, marrëveshja do të përfshijë një bazë të rinovuar për strukturimin e marrëdhënieve dypalëshe, me një plan pune të fokusuar në objektivat politike, ekonomike dhe kulturore.
Nisma është pjesë e transformimit të shpejtë të Arabisë Saudite, të cilin Princi i Kurorës Mohammed bin Salman po e zhvillon përgjatë linjave të planit “Vizioni 2030”.
Një delegacion prej rreth pesëdhjetë sipërmarrësish francezë do të shoqërojë presidentin Makron në udhëtim.
Një nga pikat kryesore të turneut do të jetë një vizitë në Riyadh Skytrain të inauguruar së fundmi.
Sipas presidencës franceze, linja numër katër e këtij rrjeti - e ndërtuar me mbështetjen e kompanive franceze si Alstom dhe Transdev - simbolizon përfshirjen e Francës në projektet e mëdha të infrastrukturës saudite.
“Objektivi është përshpejtimi i marrëdhënieve ekonomike”, shpjegoi një burim i Pallatit Elize (Elysee), gjatë një konference për shtyp.
Sipas të njëjtit burim, me këtë rast mund të nënshkruhen kontrata në sektorë kyç si energjia e rinovueshme, lëvizshmëria e gjelbër dhe inteligjenca artificiale.
Një nga temat në qendër të vizitës franceze do të jetë edhe bashkëpunimi kulturor.
Në qendër të vëmendjes do të jetë qyteti Al-'Ula, i konsideruar nga presidenti Makron si një vend emblematik i bashkëpunimit franko-saudit.
Këtu presidenti francez do të marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të Villa Hegra, një rezidencë për artistët e frymëzuar nga modeli Villa Albertine, e cila do të synojë forcimin e lidhjeve kulturore mes dy kombeve.
Nga ky vend do të bëhen disa njoftime, në lidhje veçanërisht me projektet muzeale dhe restaurimin e trashëgimisë saudite.
Komponenti diplomatik i kësaj vizite do të fokusohet përfundimisht në krizat rajonale, veçanërisht në Liban dhe Gaza.
Sa i përket Libanit, objektivi francez do të jetë të punojë për t'i dhënë fund krizës politike duke lehtësuar mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe forcimin e Forcave të Armatosura Libaneze.
Presidenti Emanuel Makron dhe princi Mohammed bin Salman do të diskutojnë gjithashtu luftën në Gaza, ku Arabia Saudite dhe Franca ndajnë aspirata konverguese, sipas Pallatit Elize (Elysée).
Presidenca franceze nënvizon se të dy vendet mbështesin një zgjidhje politike të bazuar në krijimin e një shteti palestinez.
Të martën, më 3 dhjetor, delegacioni francez do të marrë pjesë në Samitin One Water, një ngjarje e organizuar nga qeveritë e Arabisë Saudite dhe Kazakistanit për çështjet e sfidave që lidhen me ruajtjen, menaxhimin dhe mbrojtjen e ujit.
Ngjarja, nënvizon Parisi, do të jetë një mundësi për të diskutuar çështje urgjente mjedisore dhe ekonomike me liderë të tjerë ndërkombëtarë.
Franca dhe Arabia Saudite vendosën zyrtarisht marrëdhënie diplomatike në vitin 1926 dhe janë zgjeruar me kalimin e viteve në fusha të ndryshme, nga ekonomia te kultura dhe mbrojtja.
Në vitin 2023, tregtia dypalëshe midis Parisit dhe Riadit arriti në 9.5 miliardë euro, me një bilanc tregtar të favorshëm për Francën, veçanërisht falë sektorëve të aeronautikës, mbrojtjes dhe farmaceutikës.
Bashkëpunimi kulturor midis dy vendeve është i rëndësishëm, i ilustruar nga projekte të përbashkëta si zhvillimi i zonës Al-'Ula.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments