Vilnius, Lituani | Lituania ishte ndalesa e fundit e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj në udhëtimin e tij zyrtar në Republikat Balltike.
Ceremonia e pritjes për presidentin Begaj u zhvillua në pallatin presidencial “Golden Gate”.
Pikësëpari, presidenti Begaj zhvilloi takimin kokë më kokë me presidentin e Republikës së Lituanisë, Gitanas Nausėda.
Pikësëdyti, u zhvillua një takimin i zgjeruar me praninë e delegacioneve përkatëse.
Presidentët e dy shteteve ndanë me gazetarët konkluzionet e bisedës presidenciale në një konferencë të përbashkët shtypi.
Forcimi i bashkëpunimit politik dhe ekonomik midis dy vendeve, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, Kosova dhe Ballkani Perëndimor, mbështetja e palëkundur ndaj Ukrainës, si dhe përpjekjet kolektive për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, ishin në objektivin e presidentëve Begaj dhe Nausėda.
Presidenti Begaj u shpreh optimist në lidhje me rezultatin e kësaj vizite në Lituani dhe më herët në dy republikat e tjera balltike, konkretisht në Letoni dhe në Estoni.
Forcimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Lituanisë i shërben shteteve në përballjen me sfidat e reja globale, si edhe mirëqenies së qytetarëve, u konkludua në takim.
Presidenti Begaj bisedoi me presidentin e Lituanisë edhe për rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat e mbrojtjes, sigurisë, arsimit shëndetësisë dhe bujqësisë.
Linja ajrore Vilnus-Tiranë, 2 herë në javë, nga qershori i vitit që vjen, përmes “AirBaltic”, është lajmi që sapo morëm nga presidenti i Lituanisë”, bëri të ditur presidenti Begaj pas takimit me homologun Nausėda.
Presidenti Begaj dhe homologu lituanez Nausėda konfirmuan angazhimin e përbashkët për bashkëpunim në çështjet e sigurisë, linjëzimin me politikat e Bashkimit Evropian dhe ndarjen e eksperiencave për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në këtë proces, presidenti Begaj e konsideroi Lituaninë si një shembull të mirë për t’u ndjekur, duke falënderuar presidentin Nausėda për ndihmën e ofruar.
Presidenti Begaj theksoi faktin se Shqipëria kurrë nuk është lëkundur në qëndrimet e saj evropiane duke qenë prezente në të gjitha operacionet që Bashkimi Europian ka ndërmarrë në mbrojtje të demokracisë dhe vlerave mbi të cilat u ngrit dhe funksionon Bashkimi.
“Shqipëria dhe Lituania - u theksua në takim - ndajnë të njëjtat vlera politike edhe si aleate në NATO, duke dëshmuar gatishmëri për intensifikimin e ndihmës ndaj Ukrainës dhe për kontributin në misionet ndërkombëtare të paqes dhe mbrojtjes së lirisë”.
“Investimi në mbrojtje është investim për të ardhmen e sigurinë në botë”, vlerësoi presidenti Begaj, i cili theksoi rëndësinë e bashkimit përballë kërcënimeve që janë prezente.
Presidenti Begaj i përcolli presidentit Nausėda mirënjohjen për kontributin e Lituanisë në KFOR, si edhe mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizmat Euroatlantike.
Gjatë qëndrimit në Vilnius, presidenti Begaj u prit në takime të veçanta nga kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Šimonytė, kryeparlamentarja Viktorija Čmilytė-Nielsen, dhe nga deputetë të grupit të miqësisë Lituani-Ballkani Perëndimor, me të cilët, bisedoi për rritjen e shkëmbimeve ekonomike, forcimin e bashkëpunimit si anëtarë në NATO dhe thellimin e marrëdhënieve ndërparlamentare të dy vendeve.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments