Tiranë, Shqipëri | Në 116-vjetorin e Kongresit të Manastirit, në nderim të dijetarëve shqiptarë që vendosën njësimin e alfabetit shqip, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, takoi fituesit e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, nxënës të shkollës “Rilindja”, në qytetin e Kavajës.
Presidenti Begaj takoi nxënësit Ajra Bexhdili, Klevis Musa, Kejsi Teliti, Najla Vrapi dhe Kejsi Shehi, të shoqëruar nga drejtuesja e shkollës, Hamide Kariqi, mësuesen e Gjuhë-Letërsisë Matilda Bardhi, si dhe kryetarin e Bashkisës ë Kavajës, Fisnik Qosja.
“Sot festojmë thesarin tonë më të çmuar, simbolin më të bukur të bashkimit kombëtar e qëndresës shqiptare, alfabetin e gjuhës sonë të bekuar.
Dita Kombëtare e Alfabetit nuk është thjesht festa e shkronjave shqipe, por përkujtim i shekujve të qëndresës së gjuhës sonë në të shkuarën, mirënjohje për vlerat e bukurinë e saj në të tashmen dhe një zotim për ta çmuar e iu dedikuar në të ardhmen”, tha presidenti Begaj.
“Kur ndërtohet një shtëpi, nuk bëhet e bukur çatia, bëhen themelet e forta. Këto themele të hedhura në shkollën ‘Rilindja’ tregojnë që gjuha, rrënja jonë, gjuhë e shqiponjave, do të vazhdojë të mbijetojë.
Ajo që keni treguar gjatë kësaj kohe është se përdorimi i saktë dhe i duhur i gjuhës shqipe, mbrojtja dhe promovimi i saj, patjetër dhe pasurimi, është vlerë, vlerë e kombit tonë”, tha presidenti Begaj.
Nxënësit u shprehen se ia dolën të çojnë trofeun në Kavajë me ndihmën e mësuesve dhe në bashkëpunim të fortë si ekip.
“Secili nga ne ka një talent të ndryshëm, si copat e një puzzle që veçmas nuk kemi kuptim, por kur u bashkuam, atëherë dhe ia dolëm të fitonim”, thanë ata.
Presidenti Begaj i dhuroi secilit nxënës një Fjalor të Gjuhës Shqipe si simbolikë të përkushtimit që ata kanë treguar ndaj gjuhës shqipe duke dalë fitues të konkursit ndër 900 shkolla në vend.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments